Falsifikon dëshminë për dhunë në familje, në hetim oficeri i policisë

06/12/2015 10:40

Një oficer policie në Fier do të hetohet për falsifikim dokumentash, pasi ka falsifikuar kallëzimin për dhunë një të shtetaseje. Prokuroria e Fierit bën të ditur se B. GJ, kishte denoncuar duhnën e ushtruar nga kunati i saj tek oficeri i policisë Arben Deda.

Për dhunën e ushtruar gruaja ka bërë dhe ekspertizën mjeko-ligjore ku konfirmohen qartë shenjat. Ajo ka deklaruar se për shkak të konflikteve familjare, është qëlluar nga kunati i saj Asqeri Gjojdeshi me shkop të trashë në pjesë të ndryshme të trupit, përfshi dhe në kokë, duke i shkaktuar hematoma.

Ndërkohë, në aktin e përpiluar nga oficeri i policisë Deda për këtë rast, shkruhet se “…e dëmtuara deklaron se ka pasur konflikt verbal me kunatin e saj dhe, në ikje e sipër është rrëzuar duke dëmtuar gjurin…”. Në këtë mënyrë Deda ka shmangur me dashje të dhënat reale, si edhe nuk ka shënuar deklarimet e plota të të dëmtuarës, duke shfrytëzuar ndoshta faktin e nivelit të ulët arsimor të saj.

Ndaj oficerit fillimisht u morr masa e pezullimit nga detyra, duke kaluar më pas në hetimin për falsifikim dokumentesh.

Top Channel