Tiranë, klonuesit e kartave në gjykatë; arrest me burg për 5 prej tyre

05/12/2015 11:55

Gjykata e Tiranës ka vendosur masat e sigurisë për 8 persona, 6 prej të cilëve të ndaluar pak ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, të dyshuar për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”.

Nëpërmjet kartave të klonuara, personat në fjalë dyshohen se kanë tërhequr shuma të konsiderueshme parash në bankomatet e një banke të nivelit të dytë.

Gjykata i konsideroi të ligjshëm urdhërat e ndalimit të prokurorisë dhe vendosi masat e sigurisë për shtetasit:

D.Ç, “arrest në burg” në mungesë; Denilson Dusha, “arrest në burg”; Marius Shehi, “arrest në burg”; Sajmir Krasnaj, “arrest në burg”; Klodjan Kukli, 15 ditë “arrest në burg”; Egli Kukli, “detyrim për paraqitje”; Besmir Kollçaku, “detyrim për paraqitje”; Andi Hylviu, “detyrim për paraqitje”.

Këta shtetas, me banim në Lushnje dhe Kavajë, pasi kanë falsifikuar karta debiti kanë tërhequr shuma të ndryshme në bankomate në disa qytete dhe i kanë shpenzuar ato për blerje karburanti për automjetet e tyre, ose për sende të tjera.

Prokuroria e kryeqytetit nisi hetimet mbi këtë rast pas sinjalizimeve të bankës së nivelit të dytë, e cila kishte konstatuar ndërhyrje në sistemin e saj përmes një karte amerikane të klonuar.

Nga hetimet ka rezultuar më pas se personat përgjegjës kanë tentuar të kryejnë transaksione edhe me karta të tjera, por ajo që u ka funksionuar ka qenë ajo amerikane.

Në vijim të hetimit, nga ana e Prokurorisë së Tiranës po punohet për të saktësuar shumën e plotë të marrë prej tyre nëpërmjet klonimit të kartave të debitit.

Top Channel