Shqipëria, në pritje të shortit për “Euro 2016”-n

05/12/2015 00:00

Europiani i 2016-s do të zhvillojë fazën finale verën e ardhshme, në një format të zgjeruar si kurrë më parë, por në një prej ironive më të mëdha të futbollit modern, arkitekti i ndryshimeve nuk do të mund të shijojë shortin e grupeve.

Michel Platini, i pezulluar, do të mungojë në ceremoninë e shumëpritur në Paris, më 12 dhjetor, atëherë kur më të fortët e kontinentit, duke përfshirë edhe Shqipërinë, do të mësojnë kundërshtarët e fazës së grupeve.

Tashmë duhet shumë pak ditë nga shorti i fazës finale, ku miliona tifozë do të zbulojnë sesi do të përbëhen grupet në turneun më të madh sportiv në nivel kontinental.

Shqipëria e trajnerit Giovanni De Biasi, e cila ka fituar me meritë një biletë mes 24 më të mirave, është në vazon e katërt të shortit. Shpërndarja e skuadrave nëpër këto vazo është realizuar në bazë të koeficentëve në renditjen e UEFA-s. Përfaqësuesja kuqezi pozicionohet e parafundit, mes 24 skuadrave finaliste të “Euro 2016”, duke lënë pas vetëm Irlandën e Veriut.

Italia e Antonio Contes është e pranishme gjithashtu mes më të mirave, edhe pse nuk do të jetë kokë grupi, për shkak të renditjes së FIFA-s.

Të shtunën e 12 dhjetorit, në orën 18:00 do të marrë formë edhe “Euro 2016”, me 6 grupe nga 4 skuadra. Turneu do të nisë më 10 qershor në Paris, me sfidën hapëse, dhe do të mbyllet me finalen e madhe të 10 korrikut, në “Stade de France”.

Hedhja e shortit për Europianin e Francës do të transmetohet drejtpërdrejt në Top Channel.

Top Channel