Tiranë, parandalohet krimi; arrestohen dy nxënës shkolle

04/12/2015 00:00

Pas një konflikti të regjistruar 3 ditë më parë në shkollën “Vasil Shanto”, këtë të premte policia ka mundur të ndërhyjë në kohë për të parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, duke arrestuar dy nxënës, të dyshuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “moskallëzim krimi”, si dhe ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë me 3 fishekë.

Operacioni është zhvilluar nga forcat e komisariatit numër 2 të kryeqytetit, pas marrjes së informacionit në rrugë operative, dhe ka mundur të vërë nën pranga shtetasit G.F. 16 vjeç dhe M.B. 17 vjeç, i pari i lindur në Lezhë por banues në Tiranë, ndërsa e dyta lindur e banuese në kryeqytet.

17-vjeçarja akuzohet edhe për “moskallëzim krimi” veç “armëmbajtjes pa leje”, ndërkohë që është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A.H., 16 vjeç, edhe ky lindur e banues në kryeqytet, por ky i fundit vetëm për “moskallëzim krimi”

Arrestimet kanë ardhur për pasojë të ngjarjes së datës 1 dhjetor, kur shtetasi me inicialet E.F., nxënës në gjimnazin “Besnik Sykja”, shkoi në mbështetje të disa shokëve të tij, të cilët po konfliktoheshin me disa persona pranë “Vasil Shantos”. 16-vjeçari A.H. është përfshirë në konflikt duke gjuajtur me grushta njërin prej personave të palës tjetër.

Ndërkohë, shtetasi G.F., i cili raportohet të jetë i biri i deputetit Mhill Fufi, i frikësuar prej kësaj situate ka udhëtuar drejt qytetit të Laçit ku ka mundur të sigurojë një pistoletë “Ekol”, duke e mbajtur me vete në shkollë për vetëmbrojtje nga personat që kishte goditur. Por, gjatë mësimit, ai ia ka dhënë pistoletën shoqes së shkollës, M.B., për ta mbajtur në çantë.

Veprimet policore thuhet se janë kryer në prani të psikologes së shkollës dhe një tjetër punonjëseje sociale nga Policia, dy avokatëve dhe në prani të familjarëve. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Top Channel