Skandali i korrupsionit, Michel Platini do dëshmojë në FIFA

04/12/2015 00:00

Michel Platini do të shfaqet përballë Dhomës Juridike të Komisionit të Etikës së FIFA që do të vendosë edhe për të ardhmen e tij.

Sipas medias franceze, kreu i UEFA që është i pezulluar nga detyra e tij për shkak të dyshimeve të ngritura për të për korrupsion, do të përgjigjet për gjithçka në seancat dëgjimore që do të zhvillohen në 16 dhe 18 dhjetor.

Vetëm përpara pak kohësh, FIFA kërkoi pezullimin e përjetshëm të Platini nga bota e futbollit që do t’i jepte fund ambicies së tij për të garuar për postin e presidentit të FIFA në Kongresin e 26 shkurtit.

Por fakti që Platini do të dëshmojë në Komisionin e Etikës që drejtohet nga Hans Joakim Ekhart, i jep një fije shprese presidentit të UEFA. Platini është i pezulluar nga aktivitetet deri në 5 janar, por ai nëpërmjet avokatëve të tij e ka apeluar vendimin për këtë dënim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, me këtë të fundit që do ta publikojë vendimin javën e ardhshme.

Michel Platini është vënë nën hetimin e drejtësisë zvicerane për përfitimin e 1.8 milionë Eurove nga Blatter në vitin 2011, për disa projekte të FIFA të realizuara në periudhën 1999-2002, një çështje kjo që ka sjellë pezullimin edhe të vetë Blatter.

Top Channel