“Loro Boriçi”, Këshilli Bashkiak pro kontratës 20-vjeçare me FSHF-në

04/12/2015 18:20

Pas polemikave që pezulluan punën dhe minuan planet për rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi”, duket se më në fund Bashkia e Shkodrës dhe FSHF po gjejnë gjuhën e përbashkët.

Këshilli Bashkiak i Shkodrës, me 40 vota “pro” dhe 1 abstenim, ka votuar pasditen e kësaj të premteje. Akordi në fjalë parashikon që për 20 vite Federata Shqiptare e Futbollit mund ta përdorë pa qira,  stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjet e ekipit të Kombëtares së futbollit.

Në fillim ky propozim i Federatës Shqiptare të Futbollit u kundërshtua nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, i cili ngriti një grup pune për këtë çështje duke pretenduar që afati kohor të ishte më pak se 20 vite. Por, pas negociatave të zhvilluara mes drejtuesve të Bashkisë Shkodër dhe Federatës u ra dakord që Këshillit Bashkiak t’i propozohet afati kohor për 20 vite.

Ndërkohë, në muajin shkurt pritet të inaugurohet në Shkodër dhe stadiumi “Loro Borici”. Një investimi i Qeveris shqiptare prej rreth 12 milionë euro, duke e kthyer për momentin këtë stadium në më të madhin e më modernin në vend.

Shembja e strukturës së vjetër dhe fillimi i punimeve për impiantin e ri modern, sipas standardeve të UEFA-s, ka nisur që prej tetorit të shkuar, por puna ka ecur me ritme të ngadalta.

Top Channel