Tiranë, grabitet një mjet i blinduar. Autorët i vënë flakën automjetit të tyre

03/12/2015 14:00

Një automjet i blinduar i një shoqërie private sigurimi, që transportonte parà, është grabitur mesditën e së enjtes në afërsi të Laknasit, në kryeqytet.

Me anë të një njoftimi zyrtar për shtyp, Policia e Tiranës bën të ditur se, dy automjeteve të sigurisë private, një furgoni dhe një automjeti tjetër shoqërues, të cilat ishin duke udhëtuar në drejtim të Rinasit, u është ndërprerë rruga nga një automjet tip fuoristradë, me targa TR 8801 E, në të cilin dyshohet se udhëtonin disa persona.

“Nga mjeti tip fuoristradë kanë zbritur disa persona të veshur me pajisje policie, maska dhe armë zjarri, të cilët me anë të një sendi të fortë kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar dhe kanë zbritur me forcë punonjësit e policisë private, duke i shtrirë në tokë. Pasi kanë marrë sasinë e parave, ata janë larguar me automjetin e tyre. Dyshohet gjithashtu se, këta persona të kenë gjuajtur me armë zjarri, pasi në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Më pas, autorët kanë braktisur makinën e tyre, duke e djegur vetëm disa metra larg vendit të ngjarjes. Deri më tani janë shoqëruar në polici 6 punonjësit e policisë private, për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, ndërsa pika të shumta kontrolli janë ngritur në të gjithë akset kryesore të Tiranës.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel