Reformat në FIFA, sponsorët: Duhet monitorim i pavarur

02/12/2015 11:20

Sponsorët kryesorë të FIFA-s kërkojnë monitorim të pavarur të procesit të reformimit të FIFA-s. Drejtues të kompanive të tilla si InBev, Adidas, Coca Cola, McDonalds dhe Visa dërguan një letër në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s, që këtë javë do të zhvillojë një takim. Muajin e kaluar, Komisioni i Reformës publikoi disa rekomandime paraprake, mes të cilave ishte edhe vendosja e një kufiri moshe për drejtuesit e këtij institucioni.

Lista përfundimtare e reformave do t’u prezantohet drejtuesve të 209 federatave që janë pjesë e FIFA-s në Kongresin e muajit shkurt. Federata Ndërkombëtare e Futbollit po përballet me një presion të paprecedentë në historinë e saj pas skandalit të korrupsionit të shpërthyer në maj të këtij viti, që u shoqërua me vënien nën akuzë nga prokuroria amerikane të 14 zyrtarëve të saj, një pjesë e të cilëve ishin edhe pjesë e Komitetit Ekzekutiv.

“Jemi të bindur se Komisioni i Reformave po bën një punë të mirë, por ne ende besojmë se ky proces duhet të monitorohet në mënyrë të pavarur. Ne e inkurajojmë një ndërmarrje të tillë, pasi do të kthejë besueshmërinë te FIFA. Ne i kërkojmë Komitetit Ekzekutiv të përqafojë ndryshimet pozitive dhe të pranojë se ky monitorim është një tjetër hap drejt një të ardhmeje më të mirë të FIFA-s”, lexohet në letrën e sponsorëve të FIFA-s, të publikuar në faqen zyrtare të Coca Cola-s.

Skandali i korrupsionit në FIFA u përshkallëzua në muajin tetor, kur presidenti Blatter dhe kreu i UEFA-s, Michel Platini u pezulluan 90 ditë nga Komisioni i Etikës për shkak të një pagese prej 2 milionë frangash zvicerane që Blatter kishte bërë në drejtim të Platinisë në vitin 2011.

Top Channel