Pr.buxheti i 2016-s, Spaho: Nuk garantohet konsumi, buxheti të rishikojë investimet

02/12/2015 00:20

Projektbuxheti i vitit të ardhshëm është tema kryesore në diskutimet parlamentare, ndërsa për të shprehur edhe pikëpamjet e opozitës në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte i ftuar nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Sipas Spahos, projektbuxheti i vitit 2016 reflekton gjendjen ekonomike të këtij viti që është e karakterizuar me rënie të rritjes ekonomike, mungesë të theksuar në realizimin e të ardhurave dhe për pasojë rënie të investimeve publike.

Nënkryetari i PD-së ka folur edhe për borxhin publik, duke thënë se mazhoranca e majtë për dy vite e gjysmë e ka rritur atë për 8%, duke e çuar borxhin në 74% në krahasim me prodhimin e brendshëm.

Spaho vë theksin edhe te investimi në dy sektorët shumë më rëndësi për vendin, siç janë turizmi dhe bujqësia, por sipas tij, kjo nuk po ndodhë.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: Fillimisht do të doja një vështrim të përgjithshëm se si e vlerëson opozita projeketbuxhetin që po diskutohet prej ditësh në komisionet parlamentare?

Edmond Spaho, nënkryetar i PD: Projektbuxheti dhe paketa fiskale që e shoqëron në fakt reflekton gjendjen ekonomike të vitit 2015 e cila është karakterizuar nga rënie të ritmeve të rritjes ekonomike, mungesë e theksuar në realizimin e të ardhurave e për rrjedhojë edhe mungesë në pjesën e shpenzimeve, veçanërisht në pjesën publike të cilat janë në periudhën më të keqe të tyre. Për shkak të ecurisë jo të mirë të ekonomisë qeveria është detyruar të ndërhyjë në buxhetin e vitit 2015 duke bërë shkurtimin e të ardhurave dhe shpenzimeve në korrik me 22 miliardë lekë me shpresë që do të arrinte të rikuperonte në muajt e mbetur të vitit, por për fat të keq edhe shtatori e tetori realizojnë me të njëjtat simptoma mosrealizime për rreth 10 miliardë lekë të ardhura dhe për rrjedhojë edhe investimet publike janë rreth 8 miliardë lekë nënë kufirin e parashikuar në korrik. Të gjitha këto sëmundje janë pasqyruar edhe në projektbuxhetin e vitit 2016. Niveli i të ardhurave që parashikohet do të jetë më i ulët sesa ai i vitit 2015, madje në raport me prodhimin e brendshëm në total zbresin të ardhurat me 0.5% në krahasim me pritshmëritë e 2015-s, kurse të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të cilat janë kontribuesit kryesorë tek të ardhurat, janë 0.3% më pak krahasuar me 2015-n në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Madje, po të shikosh planifikimin ku ekonomia parashikohet të rritet në vlerë nominale 6%, të ardhurat rriten vetëm me 4%, pra hyrja është mjaft skeptike në mbledhjen e tyre gjatë vitit të ardhshëm. Nuk ka parashikuar së paku as rritjen nominale ekonomike, por është nën këtë nivel.  

Pandi Gjata: Qeveria në fakt pretendon për një rritje ekonomike mbi 3% në këtë projektbuxhet për vitin e ardhshëm…

Edmond Spaho: …e cila do të jetë rritja reale me 3.4%, ndërsa rritja nominale shkon 6%…

Pandi Gjata: …dhe që për herë të parë nuk do të kemi rënie të ekonomisë, krahasuar edhe me dy vitet e mëparshme. E shikoni ju kështu?

Edmond Spaho: Shiko, rritjen 3.4% qeveria e parashikonte edhe për vitin 2015, por rezulton në kufirin e 2.3%. Pra, nuk duhet të nisemi nga parashikimi pasi në këtë periudhë ato janë gjithmonë optimiste sepse për çdo vit kështu kemi parashikuar dhe kur vjen puna për të realizuar programin e miratuar të buxhetit, paketës fiskale, të ardhurat dhe shpenzimet shikohen defiçenca të mëdha të cilat rezultojnë në mosrealizime. Madje, qeveria do që të bëjë një rishikim të buxhetit edhe në fund të këtij viti për të sistemuar diferencat e mëdha në mosrealizim që ka. Duke u kthyer tek projekti i 2016-s, mosrealizimi në të ardhura detyrimisht do të pasqyrohet në reduktimin e shpenzimeve. Në fakt, shpenzimet në tërësi duhet të jenë 3.4 miliardë lekë më të ulëta sesa viti 2015, por ajo që më çudit mua është rritja e shpenzimeve operative. Ato do të rriten nga 367 miliardë lekë në 383 miliardë lekë për vitin e ardhshëm. Pra, në një kohë kur për shkak të shtrëngesës shpenzimet në tërësi ulen, ka rritje të shpenzimeve operative gjë që duhet të ndodhte e kundërta, të kursejmë në shpenzimet operative dhe të nxisim investimet. Por, edhe investimet janë në nivelin më të ulët dhe për çdo vit po vë re që kjo mazhorancë po planifikon më pak dhe po realizon më pak. Ndërsa, në vitin 2014 kishte parashikuar rreth 66 miliardë lekë investime ose 4.7% të prodhimit të brendshëm, në 2015-n janë 65 miliardë lekë që parashikohen të realizohen por në fakt do të jenë 10 miliardë lekë më pak dhe këto zënë 4.4% të prodhimit të brendshëm. Vitin e ardhshëm parashikohet 61 miliardë lekë dhe 4% e prodhimit të brendshëm bruto që është niveli më i ulët historik i gjithë kohërave në lidhje me investimet publike. Ju e dini që investimet publike janë një mjet shumë i rëndësishëm i qeverisë për të ndikuar në rritjen ekonomike, pra është një stimul i madh që i jepet ekonomisë por që për fat të keq për çdo vit po vjen në rënie në një kohë që shpenzimet operative po vijnë në rritje që duhet të ndodhte e kundërta, sidomos në një ekonomi që është në një gjendje krize.

Pandi Gjata: Qeveria thotë që ky projektbuxheti parashikon që të mos rrisë edhe borxhin publik, i cili vitet e fundit ka shkuar deri në 70%…

Edmond Spaho: …borxhi është një histori më vete dhe duhet parë për të gjithë periudhën që ka qeverisur mazhoranca e majtë, që kur erdhi në vitin 2013 mori një nivel prej 63% të borxhit në raport me prodhimin e brendshëm. Gjatë këtyre dy viteve, qeveria është angazhuar në likuidimin e të ashtuquajturave detyrime për punët e papaguara, detyrime fiskale si dhe detyrime të tjera. Gjatë 2014-s shlyen 35 miliardë lekë dhe janë 20 miliardë lekë të parashikuara në buxhetin e vitit 2015, pra në total janë 55 miliardë lekë të cilat bëjnë me rreth 3% të prodhimit të brendshëm. 63% e mori dhe 3% bëjnë 66%, ndërsa aktualisht borxhi është rreth 74%, pra janë 8% rritje e borxhit në harkun e dy viteve e gjysmë të pajustifikuara. Është borxh i marrë për të përballuar shpenzimet. Ju kujtoj që në harkun e 8-viteve borxhi publik është rritur nga 55%, sa e morëm ne në 2005-n, në 63%, pra 8% për 8 vite. Në dy vite e gjysmë kemi një rritje të pajustifikuar prej 8% që ka mbuluar në tërësi shpenzimet e qeverisë. 

Pandi Gjata: Gjithsesi, mos rritja e borxhit për vitin 2016 e shikoni si një lajm të mirë?

Edmond Spaho: Jo që nuk pretendon ta rrisë, por pretendon ta ul borxhin dhe kjo është pjesa e dukshme, ndërsa edhe deficitin buxhetor do ta mbajë me nivele më të ulëta, por nuk mendoj se është një arritje që duhet të krenohemi. Ajo që duhet të krenohemi ne është që me një nivel të maturuar të deficitit buxhetor dhe me një nivel të pandryshuar të borxhit publik të mund të nxisim rritjen ekonomike, të mund të kemi investime publike, të rrisim pagat dhe pensionet ose të mund të financojmë degë të tjera që janë të rëndësishme për zhvillim ekonomik si për shembull bujqësia, turizmi sepse vetëm duke nxitur zhvillimin e këtyre dy sektorëve do të mund të garantohet rritja ekonomike, por në fakt kjo nuk ndodhë.

Pandi Gjata: Një moment i diskutuar gjatë këtyre ditëve është edhe ajo e uljes së taksave për biznesin e vogël. Ju nuk jeni shprehur kundër uljes së taksave, por keni akuzuar qeverinë se ka kopjaur propozimet tuaja…

Edmond Spaho: Ne jemi forcë politike e djathtë dhe çdo ulje e taksave është e mirëpritur, pasi filozofia jonë është nivel i ulët taksash. Madje, jemi shprehur që kur të vijmë në pushtet do të kalojmë përsëri në taksën e sheshtë në nivel 9% në mënyrë që të bëhemi kompetitivë në rajon. Në këtë kuptim edhe heqja e taksave ndaj biznesit të vogël është e mirëpritur…

Pandi Gjata: A është kjo një masë për të nxitur konsumin dhe për të lehtësuar të gjitha efektet sociale që kanë familjet?

Edmond Spaho: Jo, nuk do të ketë efekt as në konsum, as në rritjen ekonomike, pasi kontributi i biznesit të vogël si në rritjen ekonomike ashtu edhe në të ardhura është fare i papërfillshëm në këtë kuptim mund t’i heqësh taksat dhe të mos kesh efekte negative të konsiderueshme në buxhet, por nuk është ky problemi. Në radhë të parë qeveria do të duhet të mendojë të nxisë biznesin që i jep mbi 90% të rritjes ekonomike; së dyti: Vetë biznesi i vogël nuk është se ka kërkuar të lirohet nga barra fiskale sepse është e papërfillshme edhe për të. Çdo biznes në kufirin nga 0 deri në 50 milionë lekë paguan 250 mijë lekë të vjetra taksa, kështu që nuk është një barrë e papërballueshme për ta. Ajo që kërkon biznesi i vogël është stop represionit, stop prezencës së përhershme të tatimorëve në ambientet e tyre të biznesit, madje duhet t’ju kujtoj që me ndryshimet që janë përgatitur dhe që do të miratohen në ditët në vazhdim sistemi i ri i gjobave do të ndryshohet kodi penal përveç dënimeve me burg për mos deklarim të xhiros, mosdhënie të kuponit tatimor etj. ka edhe një sistem gjobash i cili është përtej racionalitetit. Me një gjobë që mund t’i vësh ti biznesit ti i merr taksat e 15 apo 20 viteve, nëse të vejnë një gjobë prej 10 milionë lekësh të reja, sikurse është parashikuar për mosdhënien e kuponit tatimor, është baraz me taksën që paguan biznesi i vogël sot për 50 vjet.

Pandi Gjata: A ka propozime konkrete opozita se ku duhet të fokusohet buxheti i vitit të ardhshëm?

Edmond Spaho: Me këtë paketë fiskale që është paraqitur janë 8 taksa të cilat ndryshojnë, ku 7 janë në rritje. Këtu duhet të jemi të qartë që nuk ka vend propaganda e qeverisë që po ul taksat. Ashtu sikurse ka ndodhur edhe në dy viteve shkuara 2014 dhe 2015, edhe 2016 në proporcione më të vogla, por trendi është për të rritur taksat dhe disa prej tyre janë taksa që ngarkojnë shtresën e mesme, ajo që është konsumatorja kryesore e vendit dhe që nxit zhvillimin ekonomik. Për shembull taksa për kontributet shoqërore e profesioneve të lira është një masë që godet pikërisht këtë kategori, shtresën e mesme dhe rrogëtarët. Ose taksa mbi akcizën e birrës që godet prodhimin vendas, është një qokë e mirëfilltë që qeveria ia bën ndonjë importuesi të birrës dhe rrit me 50 lekë akcizën për prodhimin vendas dhe ul me 110 lekë për litër për importuesit që shkon në total me 160 lekë për litër. Po kështu vendoset taksa mbi pasurinë e cila në radhë të parë do të prekë shtresën e mesme, sikurse ka edhe një sërë taksash që themi ajo e makinave luksoze që në thonjëza flitet për makina luksoze sepse në realitet nuk është ashtu. Shqipëria nuk ka 15 mijë makina luksoze, sa kategorizohen me ndryshimin që do të bëjnë. Por edhe me këtë rast do të taksohen me rreth 210 mijë lekë në vit, përveç tatitimit të përvitshëm do të kesh edhe një taksë ekstra në këtë shumë. Ka edhe një taksë tjetër të rëndësishme është ajo e primeve të sigurimit, u hoq TVSH-ja vjet me shpresën se do të uleshin çmimet e polisave të sigurimit, por nuk ndodhi kështu, ndërsa tani po rritet nga 3% në 10%, por më thoni ju do të rritet çmimi i polisave të sigurimit, sigurisht që do të rritet sepse në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë që të rritet një taksë dhe të mos rritet çmimi i produktit apo çmimit respektiv dhe në këtë rast ata do ta fusin kosto këtë rritje takse dhe do të jemi ne qytetarët që do ta paguajmë nëpërmjet polisës së sigurimit. Të gjitha ne këto do t’i kundërshtojmë.

Pandi Gjata: A do të ketë amendamente nga ana juaj dhe në çfarë pikash synojnë?

Edmond Spaho: Në thelb synojnë rrëzimin e rritjes së atyre 7 taksave që përmendëm do të çojë gjithashtu edhe në një konturim më të mirë të planit të shpenzimeve. Aty ku ne mendojmë se është e domosdoshme që të mbështeten shumë më mirë investimet publike. Në kushtet kur vendi është bërë pak kompetitivë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, në kushtet kur taksat, sikurse e patë edhe nga raporti i fundit i Bankës Botërore për periudhën 2014-2015, janë rritur për 5-2% është e domosdoshme që qeveria të përdorë një manovër fiskale për të nxitur prodhimin dhe një nga ato mund të jetë alokimi i një volumi më të madh të investimeve publike në mënyrë që të nxitet prodhimi. Pastaj edhe brenda kontestit të investimeve publike duhet parë përse përdoren këto para’ sepse ne po shohim gjatë këtyre dy viteve megjithëse nën planin, janë realizuar investime publike në vlerë por ku kanë shkuar? Kanë shkuar në rikonstruksione zyrash, kanë shkuar për rregullimin e qendrave të qyteteve, nuk them se nuk duhen këto, sigurisht që duhen por në kushtet e një krize ekonomike në radhë të parë duhet parë sektori prodhues, të investosh në rrugë, në ujësjellës, kanalizime, shkolla, spitale të cilat japin impakt shumë të madh se sa japin një pjesë e mirë e këtyre investimeve që ka kryer qeveria. Edhe në projektin e vitit 2016 kjo pjesë është e konsiderueshme, madje makineri e pajisje përbëjnë gati 30% të volumit total të investimeve publike.

Pandi Gjata: Sa amendamente do të jenë dhe a besoni se ndonjëri prej tyre do të merret parasysh nga qeveria deri të premten kur do të mbahet debati dhe më pas votimi i projektbuxhetit?

Edmond Spaho: Nuk e di të them saktësisht për numrin e saktë të amendamenteve pasi jemi në proces përgatitje të tyre, por fokusi do të jetë pikërisht në kundërshtimin e politikave fiskale dhe një shpërndarje më të mirë të investimeve.

Top Channel