Vjedhje përmes klonimit të kartave, arrestohen 6 të rinj

01/12/2015 20:15

Një përballje e denjë për një skenar filmi, ishte ajo e Prokurorisë së Tiranës me 6 të rinj nga Lushnja, Kavaja dhe Durrësi të akuzuar për “mashtrim kompjuterik”. Por ashtu si dhe në film, në fund “i keqi” gjithmonë arrestohet.

Gjithçka ka nisur kur 6 të rinjtë kanë arritur të klonojnë një kartë debiti të një shtetasi amerikan dhe me anë të saj kanë kryer një sërë blerjesh në Lushnje, Kavajë dhe Durrës gjatë muajve qershor-korrik 2015.

Madje, në disa raste kanë arritur edhe të tërheqin shuma të konsiderueshme parash nga bankomatet. Por, pas gjithë këtyre veprimeve, një bankë e nivelit të dytë në Tiranë, ka dhënë alarmin, duke dyshuar se bëhet fjalë për një mashtrim kompjuterik. E në këtë moment ka hyrë në lojë Prokuroria e Tiranës.

Nga gjurmimi i transaksioneve, ka rezultuar se shumica e shpenzimeve ishin kryer në pika karburanti, ku të rinjtë furnizonin makinat e tyre. Por, një detaj që është vënë re gjatë hetimit është fakti se ata ndryshonin targat e makinave herë pas here, në mënyrë që të shmangnin zbulimin e mashtrimit të tyre.

Duke qenë se disa prej të arrestuarve rezultojnë të jenë pronarë biznesesh, në shumë raste ata përdornin targat e makinave të bizneseve të tyre. Nga ana e saj, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pamjet filmike të pikave të karburantit, ku të rinjtë shkonin më shpesh.

Gjatë këqyrjes së tyre, është identifikuar njeri prej personave që përdorte kartën e klonuar. Pas kësaj të dhënë të siguruar, grupi hetimor ka zbuluar nëpërmjet rrjetit social “Facebook” se, në profilin e personit të identifikuar ishte postuar një fotografi e një makine identike me atë që ishte furnizuar me karburant, por me targë tjetër. Dhe po nëpërmjet “Facebook” grupi hetimor, nëpërmjet miqve të personit të identifikuar ka arritur të zbulojë dhe personat e tjerë, të cilët kishin postuar fotografi të automjeteve të tyre luksoze, të cilat rezultonin se ishin furnizuar me karburant, duke paguar me kartën e klonuar.

Ende nuk është përcaktuar shuma e saktë e vjedhur nëpërmjet mashtrimit nga 6 të rinjtë, por paraprakisht mendohet të arrijë në disa miliona lekë.

Top Channel