Situata politikë në Kosovë nuk po njeh zgjidhje, të hënën seanca paralamentare u ndërpre sërish, pasi për të pestën herë deputetët opozitarë lëshuan gaz lotsjellës në sallë.
Për të diskutuar për ngjarjet e fundit, në një lidhje të drejtpërdrejt me “Skype” nga Prishtina, analisti Dritan Selmanaj tha në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” se të gjitha shpresat për një zgjidhje varen nga një zyrat i lartë amerikan.
Ky zyrtar amerikan është Sekretari i Shtetit, John Kerry i cili pritet të vizitojë Kosovën brenda kësaj jave. Sipas Selmanajt, mesazhet që do përçojë Kerry do të jenë shumë të rëndësishme, pasi liderët opozitarë nuk pyesin më për zyrat diplomatike të akredituara në Kosovë.
Intervista e plotë:
Pandi Gjata: A ka një vend të dytë, përveç Kosovës, ku ndodh kjo situatë me gaz lotsjellës siç po ndodh në Prishtinë prej muajsh?
Driton Selmanaj, analist: Në fakt, kur u përdor për herë të parë gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në nga kureshtja filluam të hulumtonim nëse vërtet ka një vend të dytë ku përdorët kjo armë, siç klasifikohet në Kosovë, dhe e kemi gjetur diku para dy vitesh në Korenë e Jugut, por kjo ka ndodhë një herë në një seancë të vetme plenare dhe jo siç po ndodh tek ne, ku është hera e pestë dhe ku gazi lotsjellës është bërë pjesë e jetës parlamentare në Kosovë. Meqë kemi kaluar në një histori tragjiko-komike, po mendoja nëse mund të ceket në rregullore që në pikën e parë të rendit të ditës të çdo seance të jetë hedhja e gazit lotsjellës dhe më pas të vazhdohet me pikat e tjera. Kjo është një praktikë shumë e keqe, e papranueshme, sepse ashtu siç e thashë edhe më parë, kodi penal i Kosovës e ka përkufizuar gazin lotsjellës si armë, sikurse është e përcaktuar se kush ka të drejtë të ketë dhe të përdorë këtë lloj gazi.
Pandi Gjata: Përveç gazit lotsjellës kemi edhe pesë deputetë opozitarë të arrestuar. A e shikon më të vështirë dialogun dhe gjetjen e zgjidhjes tani që kemi deputetë edhe të përjashtuar, pavarësisht se kryetari Veseli tha se ishte për një ditë?
Dritan Selmanaj: E kam thënë edhe më herët që ne shqiptarët jemi specialistë në komplikimin e situatave. Ne e kemi komplikuar aq shumë situatën politike sa që tani kemi një krizë të rëndë parlamentare. Pas përdorimit të gazit, Prokuroria ka dhënë urdhër për arrestimin e katër deputetëve opozitarë, dy prej tyre janë arrestuar (Albin Kurti VV dhe Donika Kadaj-Bujupi AAK), ndërsa për dy të tjerë ka urdhër-arrest. Ndërkohë, sot (e hënë) u arrestuan edhe tre deputetë të tjerë, dy për shkak të përdorimit të gazit në seancën e sotme (të së hënës), ndërkohë njëri për shkak se nga kontrollet rutinë të policisë iu gjetën dy mjete të cilat dyshohet se do t’i shfrytëzonte brenda sallës së Kuvendit. Sigurisht që kjo ka rënduar situatën dhe nuk i kontribuon zgjidhjes eventuale për të dalë nga kjo situatë. Për fatin e keq, paritë opozitare kanë zgjedhur mjete jopolitike për të bërë politikë në Kosovë ose për të penguar ndonjë vendim të Kuvendit, dhe nga an tjetër kemi përgjigjen e organeve të drejtësisë dhe kur këto të fundit i përgjigjen veprimeve jopolitike të politikanëve, atëherë komplikohet edhe më shumë zgjidhja politike. Pikërisht ajo çfarë konteston opozita në lidhje me demarkracionin me Malin e Zi dhe Bashkësinë e Komunave serbe në Kosovë të dy këto tema janë tema të pastra politike dhe nuk kanë të bëjnë me çështje të tjera, por organet e drejtësisë vetëm sa mund ta vështirësojnë edhe më tutje mundësinë për zgjidhje politike. Ekzistojnë disa propozime për të dalë nga kriza, por akoma nuk kemi parë një vullnet të plotë për të dalë nga kriza.
Pandi Gjata: A është propozimi i dy deputetëve, një i mazhorancës dhe një i opozitës, pra të znj. Osmani dhe zt. Deda si zgjidhje për të dalë nga kjo krizë politike. E shikoni këtë si propozim të mundshëm?
Driton Selmanaj: Janë opsione reale dhe shumë të mundshme. Opsionet janë artikuluar nga ana e deputetëve, por ato tema, ose ato zgjidhje, janë diskutuar gjatë në jetën publike në Kosovë nga analistët apo opinionistët. Ne e kemi parë që zgjidhje për Asosacionin e Komunave mund të jetë Gjykata Kushtetuese që ajo ta thotë nëse kjo tematikë prek kushtetushmërinë e vendit, dhe ndërkohë demarkracioni me Malin e Zi pse jo të kthehet në pikën zero nëse ka elemente që ne është gabuar për procesin e punës së Komisionit, ose nëse eventualisht edhe kjo nuk funksionon, atëherë të provojmë një arbitrazhi ndërkombëtar që ta zgjidhim këtë çështje. Ndërkohë, edhe nëse çështja e Bashkisë së Komunave serbe Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i jap përgjigje në mënyrë që t’i zgjidh të gjitha dilemat atëherë është edhe një mundësi tjetër, është Komisioni i Venecias, një organ këshilldhënës që mund të na udhëzojë se si mund të dalim nga kjo çështje që pretendohet se prek kushtetushmërinë e vendit, por për t’i dhënë zgjidhje këtyre gjërave dhe për t’u pranuar alternativat e dy deputetëve, atëherë duhet vullneti politik ose vullneti për t’i pranuar ato, por në Kosovë duket se këto nuk janë dy kauza themelore dhe duket sikurse qëndron diçka tjetër pas kësaj dhe ndoshta rrëzimi i pushtetit mund të jetë njëra prej tyre.
Pandi Gjata: Më këtë situatë, vështirë që politikanët në Prishtinë të ulën në tryezë dhe të bisedojnë, ashtu siç ka ngjarë në Tiranë, në Shkup, pra të gjithë politikanë ballkanas, por i kanë ulur disa eurodeputetë. A është momenti që të ketë ndërmjetësuar nga jashtë për të zgjidhur këtë krizë?
Driton Selmanaj: Në të gjitha situatat e komplikuara që kemi kaluar, pothuajse në të gjitha Ambasada amerikane ka qenë ajo që ka zgjidh problemet politike në Kosovë. Por, kësaj radhe duket se nuk do të kryejë punë ambasada sepse partive opozitarë nuk iu bën shumë përshtypje se çfarë mendon Ambasada amerikane në Kosovë, e kjo mund të jetë edhe një element shqetësues. Ndërsa, nga ana tjetër, kemi vetë një tendencë të zyrave diplomatike në Kosovë që të mos përfshihen drejtpërdrejt në zgjidhjen e krizës për shkak se Kosova është shtet dhe duan që punët të na lënë në dorën tonë. Nuk e di nëse ndonjë ndërmjetës mund të jetë ndonjë eurodeputet apo përfaqësues i Bashkimit Europian që mund të kryejë punë, por historia e jetës parlamentarë të pasluftës në Kosovë tregon që amerikanët kanë rolin kryesor dhe ndoshta dikush nga ky vend mund të ishte një arbitër shumë i rëndësishëm dhe me ndikim tek të gjithë aktorët të përfshirë në proces.
Pandi Gjata: as dy ditësh do të jetë Sekretari amerikan, John Kerry a mendon që do të japi ai porosi të veçanta për këtë situatë?
Driton Selmanaj: Mendoj se do të ketë një ndikim jashtëzakonisht të madh, do të varet e gjitha se çfarë gjuhe diplomatike do të përdorë ai dhe çfarë mesazhi do të mbartë. E dimë që kriza 6-mujore në Kosovë u zgjidh vetëm pas deklaratave shumë të rënda që ambasadorja Jacobson dha për klasën politike dhe mendoj se pikërisht zt. Kerry mund t’i jap orientim drejt zgjidhjes, por normalisht që duhet të konkretizohen nga ana e politikanëve tanë. Kësaj radhe ekziston një frikë edhe në shoqërinë tonë që disa prej liderëve politikë ka filluar të mos iu bëj përshtypje se çfarë thonë të tjerët për ne dhe kjo është e keqja sepse sa herë që kemi tentuar të vendosim vet për çështje shumë të rëndësishme kemi gabuar, ose nuk kemi qenë të zotë t’i japim zgjidhje përfundimtare, ose jemi ngatërruar edhe më keq. Prandaj, mendoj se është momenti që zt. Kerry do të përcjell mesazhe të caktuara dhe mendoj që më pas duhet një qasje pak më ndryshe e klasës politike sepse akoma ka instrumente kushtetuese, ka instrumente politike për t’i dhënë zgjidhje. Çështja e demarkracionit do të duhej të vijë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim dhe mund të rrëzohet. Sa i përket çështjes së Asosacionit, Gjykata Kushtetuese ka vendos një masë të përkohshme, pezullimin e saj, dhe deri më 12 janar nuk mund të bëhet asnjë hap rreth kësaj çështje. Prandaj, nëse një proces e kemi pezulluar dhe një proces varet nga Kuvendi i Kosovës pse të mos ulemi dhe të gjejmë zgjidhje dhe më pas t’i japim përgjigje situatave komplekse që na shfaqen ne.
Top Channel