Reagimet në Tiranë, Mustafa: Asnjë individ të mos ndjellë konflikt në Kosovë

01/12/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar edhe reagimet e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë, duke i ftuar siç tha ai të mos ndjellin konflikt në Kosovë.

“I ftoj dashamirësit e tjerë nga Kosova, por tani edhe ata nga Shqipëria, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, intelektualë të subjekteve të pavarura, të cilët nuk kanë nevojë të ndjellin asnjë konflikt në Kosovë. Unë uroj që në Shqipëri të mos ndodh gazi lotsjellës në Parlamentin shqiptar, as në rrugë, sepse gjithë ne e dimë se cilat kanë qenë pasojat e sjelljeve të tilla më 1997”, tha Mustafa.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Mustafa, ka ftuar sërish partitë opozitare të kthehen në Kuvend dhe siç tha ai të mos frikësohen nga e vërteta. Zhvillimet e fundit, përfshi edhe mjetet e gjetura nga Policia në zyrat e Vetëvendosjes, Mustafa i ka komentuar të martën gjatë mbledhjes së qeverisë, duke i cilësuar si mjete të dhunshme dhe siç tha ai, për këto mjete nuk mund të bëhet dialog me askënd.

 “Ne konsiderojmë që opozita duhet të kthehet shpejt në kuvend, duhet të shprehë në foltoren e kuvendit të gjitha shqetësimet lidhur me këto çështje dhe se askush nuk ka nevojë të frikësohet nga e vërteta. E vërteta nuk arsyetohet me mjete të dhunshme, me gaz lotsjellës, me vegla për shpimin e gomave, me shishe me benzine, me maska të zeza, me plumba gome ose me sfera të qelqit”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.

Lidhur me marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Mustafa tha se Qeveria do të jetë e gatshme të respektojë të plotë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendim të cilin siç tha ai, duhet ta respektojnë të gjitha palët.

Ndërsa sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, Kryeministri Mustafa tha se nuk kemi të bëjmë me përcaktim të kufijve të rinj, por me shënimin e kufirit në vijat ku kanë qenë deri me 31 dhjetor 1988.

Top Channel