Britani, arrestohet një i dyshuar për vrasjen e 17-vjeçarit shqiptar

01/12/2015 10:40

Polica britanike ka njoftuar se të hënën në mbrëmje ka bërë arrestimin e një të dyshuari për vrasjen ditë më parë të një shqiptari 17-vjeçar në Londër.

Scotland Yard nuk jep emrin e të arrestuarit e as origjinën etnike të tij, por thotë se ai është arrestuar në qytetin bregdetar Bognor Regis, në jug-perendim të Anglisë.

17-vjeçari shqiptar, i quajtur Vaso Kako, u vra me thikë shumë pranë shtëpisë së tij në lagjen e Islingtonit, jo shumë larg stadiumit të Arsenalit, përpara disa ditësh.

Mjekët e ndihmës së shpejtë të ardhur me helikopter në vendngjarje u përpoqën ta mbanin gjallë viktimën, por gjysmë ore pas ngjarjes ai u shpall i vdekur.

Vëllai dhe pjesëtarë të familijes i bënë thirrje publikut dhe dëshmitarëve të mundshëm të jepnin informacione në polici për identifikimin e vrasësit të djalit të tyre.

Sipas shtypit britanik, imazhet e filmimeve nga kamerat me qark të shkurtër tregojnë sesi viktima, pasi u godit me thikë në qafë tentoi të largohej me biçikletë, por u rrëzua pas disa sekondash për shkak të plagës.

Në njoftimin për shtyp të Policisë Metropolitane thuhet se, arrestimi i të dyshuarit për vrasjen e shqiparit është bërë në bashkëpunim me Policinë e Suseksit dhe pritet që ai të transferohet në një komisariat në jug të Londrës.

Detektivët ende nuk i kanë zbardhur motivet e vrasjes së adoleshentit, i cili është i 18-i që gjen vdekjen në Londër brenda këtij viti nga sulmet me thikë dhe i katërti në lagjen e tij.

Top Channel