15-vjeçari i qëlluar nga babai i tij rrezikon jetën

01/12/2015 11:30

Gjendja shëndetësore e 15-vjeçarit të plagosur nga babai i tij në ngjarjen e ndodhur në fshatin Pojan të Korçës, mbrëmjen e së hënës, është përkeqësuar.

I riu P.Nako ka lënë spitalin e Korçës dhe është nisur drejt Tiranës për të marrë një mjekim më të specializuar.

Adoleshenti u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së hënës nga babai i tij, Romeo Nako. Ky i fundit ka shkrepur armën në gjendje të dehur duke e goditur djalin e tij në këmbë.

Vonesa në dhënien e ndihmës së shpejtë kanë bërë që gjendja e 15-vjeçarit të përkeqësohet nga gjakrrjedhja.
 
Ndërkohë, policia që kishte mbërritur më herët në vendngjarje, ka shoqëruar autorin e këtij krimi në familje dhe ka nisur hetimet për të mësuar rrethanat e kësaj plagosjeje, pasi ka bllokuar edhe armën e zjarrit me të cilën është kryer krimi.

Paraprakisht dyshohet se Romeo Nako ka shkrepur armën në drejtim të djalit të tij në momentin që ky i fundit ka ndërhyrë në përpjekje për të shuar një zënkë mes dy prindërve të tij.

Top Channel