F1, Rosberg e mbyll sezonin me fitore

29/11/2015 15:45

Botërori i Formula 1 u mbyll me shenjën e Mercedes e Nico Rosberg. Piloti gjerman është fituesi i garës së fundit të këtij kampionati në Abu Dhabi duke realizuar një hakmarrje të vogël ndaj shokut të tij të skuadrës, Lewis Hamilton që e kaloi finishin i dyti.

Ferrari sërish përfundoi në podium, por në këtë garë me Kimi Raikkonen të renditur në vendin e tretë i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës Sebastian Vettel në të katërtin, edhe pse ky i fundit u nis nga vendi i 15.

Starti i garës ishte mjaft i mirë për Rosberg që arriti të mbajë vendin e parë me mjështëri kundrejt rivalëve të tij Hamilton e Raikkonen, ndërkohë që Alonso e Maldonado në prapavijë u bënë protagonistë të një incidenti.

Rosberg dhe Hamilton kryesuan garën të pashqetësuar, ndërkohë që Raikkonen mbajti shumë mirë pozicionin e tij duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim.

Ai që shkëlqeu ishte Sebastian Vettel i cili arriti të shlyejë gabimin e kryer në provat zyrtare të së shtunës, kjo edhe falë strategjisë së Ferrarit. Katër herë kampioni i botës bëri një sërë parakalimesh duke e mbyllur garën në vendin e katërt, një rezultat ky për t’u vlerësuar në maksimum duke parë se gjermani e nisi atë nga vendet e fundit.

Ky Botëror i Formula 1 u mbyll me Mercedes dhe Hamilton dominues duke fituar të dy titujt në lojë, atë për pilotë dhe konstruktorë. Këtë vit skuadra gjermane e pati betejën me Ferrarin që pavarësisht përmirësimeve të ndjeshme të saj nuk mundi t’i kundërpërgjigjej me forcën duhur Mercedes.

Ndërkohë, puna për sezonin 2016 ka filluar prej kohësh, nga ku pritet thyerja e këtij dominimi dyvjeçarë të makinave të argjendta.

FOTO GALERI
3/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA