Qielli mbi sheshin “Skënderbej” u mbush nga tollumbace me ngjyrat e flamurit tonë kombetar kuq e zi në vazhdën e ceremonive kremtuese të 103-vjetorit të Pavaresisë.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ngriti flamurin me një gjest simbolik, i llogaritur të ndodhte njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë.
“Le të bashkohemi të festojmë sepse kur shqiptarët janë bashkë bëjnë gjëra të mrekullueshme. Të festojmë dhe të kujtojmë se Shqipëria ka kaluar ditë të vështira. Shqipëria sot feston 103-vjetorin, por është më e re se kurrë”, deklaroi Veliaj.
Por pavaresisht thirrjes së kryebashkiakut për bashkim, në ceremoninë në qendër të Tiranës nuk ishin të pranishëm këshilltarët e djathtë.
Vetëm pak minuta më vonë ata do ta cilësonin si zemërues aktin e ngritjes së flamurit në Tiranë nga Veliaj, në një kohë që tradita historike ka njohur si ditën e ngritjes së flamurit në kryeqytet datën 26 nëntor.
“Sot, 28 nëntor, po ngrihet flamuri në Tiranë. S’ka ndodhur ndonjëherë! Ky është një akt profan, historik e protokollar. Sot flamuri ngrihet në Vlorë. Është Vlora që mori në historinë e kombit si vendin dhe ditën 28 Nëntor për ngritjen e flamurit për kombin shqiptar. Tirana e ka më 26 dhe këtë duhet ta mësojë kryetari i bashkisë”, deklaroi përfaqësuesi i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli.
Këshilltarët e djathtë thanë se nuk kanë patur ftesë për të qenë prezentë në ceremoni, sikundër nuk kanë asnjë njoftim për aktivitetet e Bashkisë së Tiranës në këtë ditë.
Ata shtuan se kryebashkiaku nuk ka parashikuar asnjë ceremoni më 28 nëntor, por ka planifikuar plot 44 të tilla në datën zyrtare të çlirimit, më 29.
I pyetur për këtë pretendim të demokratëve, kryebashkiaku Veliaj tha se janë disa aktivitete që zhvillohen ditën e sotme, të zhvendosura në disa njësi administrative.
Top Channel