Kontratat me minorenë, rrezikon dënimin edhe Reali i Madridit

27/11/2015 12:00

Reali i Madridit rrezikon të dënohet me bllokim të dy sesionesh merkatoje. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja spanjolle “El mundo Deportivo”, Komisioni i Disiplinës së FIFA-s ka vënë prej kohësh nën hetim klubin madrilen për disa parregullsi në kontratat e lidhura me futbollistë nën moshën 18 vjeç, e njëjta çështje për të cilën u dënua edhe skuadra e Barcelonës. Për momentin, nuk ka asnjë deklaratë të tillë nga ana e përfaqësuesve të FIFA-s, kjo për shkak të procedurave që po ndiqen.

“FIFA nuk është në pozita komode për të konfirmuar një informacion të tillë. Duhet të kuptohet se bëhet fjalë për procedura juridike”, tha një prej zëdhënësve të FIFA-s për “El Mundo Deportivo”-n.

Gjithnjë sipas “El Mundo Deportivo”-s, vendimi final i FIFA-s është marrë në muajin korrik, por ajo ende nuk ka bërë asnjë lëvizje për të nisur zbatimin e këtij ndëshkimi që parashikon bllokimin e Realit në merkaton e verës së 2016 dhe të janarit 2017 dhe është e kuptueshme që klubi spanjoll do të apelojë një vendim të tillë nëse gjithçka do të zyrtarizohet.

Mësohet se FIFA ka hetuar rastet e 50 futbollistëve të rinj, me Realin që u mundua të justifikohej duke deklaruar se 23 prej tyre janë pjesë e skuadrave që luajnë në kampionatet e organizuara ga Federata Spanjolle e Futbollit.

Top Channel