Debatet për buxhetin. PD: Ulët shpenzimet dhe investimet; PS: Për herë të parë do të ulim borxhin

24/11/2015 16:45

Debatet për buxhetin ishin të forta në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Opozita e cilësoi si të paprecedentë tkurrjen e shpenzimeve krahasuar më këtë vit, por mazhoranca thotë se kjo ka një arsye të fortë, uljen drastike të huamarrjes nga qeveria.

Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, tha: “Vitin e ardhshëm shpenzimet e buxhetit do të jenë 4 miliardë lekë më të ulëta se këtë vit. Nga ana tjetër pretendohet se ka rritje ekonomike”.

Ndërsa Erjon Braçe, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, u shpreh: “Është viti i parë që ne marrim borxh më pak se çdo vit pararendës”.
 
Për vitin 2016, defiçiti buxhetor është parashikuar sa 34 miliardë lekë ose 2.2% e prodhimit kombëtar.

“Pra, i gjithë korpusi i ligjeve financiare, për herë të parë pas kaq vitesh, vjen në Parlament me ulje. E gjitha ndodh në kushtet kur të ardhurat janë planifikuar me rritje”, tha Braçe.

Ndërkohë, deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi: “I vetmi lajm i mirë i këtij buxheti është se nuk i rrit taksat shumë, po për të rritur, taksat rriten”.
 
Debate të forta ka patur edhe për transfertat sociale, përmes të cilave qeveria ndihmon shtresat në nevojë.

“Në lidhje me shpenzimet për ndihmën ekonomike, parashikohen 20.5 miliardë lekë, por mos harroni që ne kemi pastruar listat nga ata që janë futur nga ish-qeveria për arsye politike”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Shehu tha: “Ju thoni se po pastroni listat e ndihmës ekonomike dhe këtë e bëni vetëm për të justifikuar uljen e buxhetit social. Ai në fakt është buxhet lëmoshe. Buxheti social është më i ulët sesa ai i këtij viti.

Në fakt, mazhoranca ka qenë mes dy zjarreve, pasi përveç kritikave të opozitës, u është dashur t’i përgjigjet edhe atyre që vijnë nga brenda saj. Erjon Braçe ka dashur të nënvizojë faktin se vitin e ardhshëm huamarrja e qeverisë është 2.2% e prodhimit kombëtar, ndërsa investimet 6%.

“Nuk po marrim borxh për të paguar paga e pensione, por vetëm për investime”, theksoi Braçe.

Buxheti i vitit 2016 është i pari që zbaton reformën e re territoriale duke transferuar tek pushteti vendor një sërë shërbimesh dhe funksionesh publike.

Top Channel