Turpërohet Dortmund, humb 3-1 ndaj Hamburgut

21/11/2015 00:00

Dortmund ka humbur në transfertë ndaj Hamburg me rezultat 3-1, pas një loje shumë të dobët nga formacioni i Tomas Tuchel. Sfida që nisi 15 minuta me vonesë për shkak të procedurave të sigurisë u kthye në një spektakël golash për tifozët vendas.

Hamburg zhbllokoi rezultatin në minutën e 19 me Pierre-Michel Lasogga që u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit. Ndjekësit e Bayern Mynih-ut e humbën busullën gjatë 45 minutave të para duke pësuar edhe golin e dytë pak minuta përpara pushimit të pjesës së parë.

Që gjithçka po shkonte kundër tyre në mbrëmjen e së premtes, Dortmund e kuptoi në minutën e 55, kur kapiteni Mats Hummels shënoi autogol në portën e tij duke mbyllur çdo llogari për fatin e këtij takimi.

Pierre Emerick Aubameyang shënoi golin e nderit 5 minuta nga fundi, por kaq mjaftoi që ndeshja e parë e javës së 13 të Bundesligës të mbyllej në favor të Hamburgut që fiton pozicione të rëndësishme në klasifikim duke u ngjitur përkohësisht në vendin e 7 me 18 pikë.

Ndërsa skuadra e Tuchel mbetet në vendin e dytë me 29 pikë, por Bayern ka mundësinë për ta çuar sërish në +7 diferencën me ndjekësit.

Top Channel