2016, ndryshon buxheti për arsimin dhe shëndetësinë

19/11/2015 14:40

Të dhënat zyrtare të buxhetit tregojnë se trajtimi i dy sektorëve më prioritarë të ekonomisë, arsimi dhe shëndetësia, do të jetë i ndryshëm vitin që vjen.

Sipas tabelave të buxhetit, rezulton se ndërsa fondet për arsimin ulen, ato për shëndetësinë rriten krahasuar me këtë vit. Më konkretisht, sipas të dhënave zyrtare, fondet publike për sektorin e arsimit vitin e ardhshëm do të ulen me 6.3 për qind.

Të shprehura si raport ndaj prodhimit kombëtar, fondet publike për arsimin ulen nga 2.7 për qind e GDP këtë vit në 2.46 për qind vitin e ardhshëm.

Sektori tjetër prioritar, ai i shëndetësisë duket se është mbrojtur më mirë. Për shëndetësinë fondet jo vetëm që nuk ulen, por do të rriten si në vlerë ashtu dhe në raport me prodhimin kombëtar.

Sipas të dhënave, mbështetja publike për shëndetësinë rritet vitin tjetër në 42.87 miliardë lekë, nga 40.98 miliardë që është këtë vit.

Pavarësisht këtyre shifrave, dy sektorët prioritarë të ekonomisë si shëndetësia ashtu dhe arsimi mbeten të nënfinancuar nga sektori publik.

Top Channel i referohet të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, sipas të cilave në vitin 2013 shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri ishin 2.8% më të ulëtat në rajon, kur në vendet e tjera ato luahten nga 4.4 në 6.7 për qind.

E njëjta situatë është edhe me arsimin, kur fondet nga sektori publik në raport me prodhimin kombëtar mbeten më të ulëtat në rajon. Shpenzimet e pakta në të dy këta sektorë në raport me vendet e tjera lidhen me madhësinë e buxhetit.

Në Shqipëri shpenzimet totale të buxhetit janë rreth 30 për qind e prodhimit kombëtar, ndërsa në vendet e tjera ato luhaten nga 40 deri në 45 për qind, çka u krijon qeverive më shumë mundësi për të dhënë fonde në arsim dhe shëndetësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA