Tiranë, shkatërrohet rrjeti i shpërndarjes së drogës, 27 të arrestuar

18/11/2015 20:05

Operacioni “Epilog” i Antidrogës së kryeqytetit dhe Prokurorisë së Tiranës i dha fund aktivitetit kriminal të një grupi që shpërndante heroinë dhe kokainë prej dy vitesh. 27 persona u arrestuan pas hetimeve 6-mujore të zhvilluara nga prokurori Enklid Gjini, ndërkohë që pesë të tjerë u shpallën në kërkim.

Ka dyshime të forta se grupi e shpërndante drogën me motorë dhe makina jo luksoze për të mos rënë në sy, ndërkohë që shumica e porosive bëheshin me telefon.

Drejtues i grupit dyshohet se ishte shtetasi Julian Bushati i cili u prangos në tentativë për t’u larguar drejt Durrësit. Grupi i hetimit deklaron se xhiroja ditore nga shpërndarja e drogës varionte nga 90 deri në 120 mijë lekë. Ndërsa, për dyvite në Tiranë ky rrjet besohet të ketë shpërndarë kokainë e heroinë me vlerën e gati 900 mijë eurove.

“Ky operacion është finalizimi i një operacioni 6-mujor kryer nga seksioni kundër narkotikëve nën drejtimin e Prokurorisë ku është dokumentuar veprimtaria kriminale e një prej grupeve më të mëdha të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë. Nga hetimi ka rezultuar se ky grup kriminal ka vepruar në disa zona të Tiranës si, “Shkolla e bashkua”, rr. “5 Maji”, Tirana e re, rr. “Fortuzi”, lagjja “Laprakë” si dhe në zonën e ish-Bllokut. Për një periudhë 2 vjeçare, mendohet se ky grup kriminal ka shpërndarë lëndë narkotike me vlerë tregu rreth 900 mijë euro. Gjatë këtij operacioni të shtrirë në kohë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale; 1.05 kg heroinë, 180 doza kokainë, një armë pistoletë, 10 automjete, 30 telefona celularë; 10 mijë euro, si dhe një peshore elektronike”, deklaroi Ervin Hoxha, drejtor i Policisë së Tiranës.

Pesë nga të ndaluarit rezultojnë me precedentë të mëparshëm në fushën e shpërndarjes së drogës, si të dënuar më herët nga gjykata. Hetimet kanë nisur pasi policia i referoi organit të akuzës informacionin mbi dyshimet se disa persona ishin aktivë në shpërndarjen e drogës, kryesisht në Rrugën e Elbasanit, Tiranën e Re dhe në Sauk.

Sipas hetimeve të deritanishme, Julian Bushati çdo pesë ditë siguronte drogë në sasinë e 100 deri në 200 gramë nga persona të tjerë për të cilët po vijojnë hetimet. Sasia e heroinës përpunohej në banesën e tij ku kishte përshtatur një mini-laborator ku edhe trefishohej me përbërës.

Njërën prej sasive e dërgonte tek shtetasi Sokol Kllapi, edhe ky i arrestuar, ndërkohë pjesa tjetër u shpërndahej vartësve në grup dhe bashkëpunëtorit të tij Armando Murati i cili e shiste drogën me një motor skuter.

Sokol Kllapi nga ana e tij, bashkë me shtetasen Sonila Donoshi në një banesë me qira, e ndante drogën ne porcione 0,3 gramëshe të cilat i shisnin 1000 lekë doza.

Nga provat, thotë Prokuroria e policia, dyshohet se çifti i shpërndarësve, gjithashtu edhe përdorues droge, kishin një xhiro ditore rreth 250 mijë lekë. Përpos veprimeve hetimore ku të arrestuarit rezultojnë të implikuar, policia sekuestroi edhe një sasi heroine, kokaine, armë e automjete.

Top Channel