Kosovë, Mustafa në Bruksel; takime me liderët e BE-së

18/11/2015 09:15

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të takohet me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

Gjatë qëndrimit të tij atje, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, do të takohet me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, komisioneren e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë/zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini, komisionerin e BE-së, Dimitris Avramopoulos, eurodeputetët Ulrike Lunacek, Elmar Brok e Tonino Picula, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së e përfaqësues të bizneseve.

Gjatë takimeve, kryeministri Isa Mustafa do të kërkojë përkrahjen e mekanizmave të BE-së për Kosovën në proceset integruese, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe përkrahje më të madhe të BE-së për zhvillimin e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa dhe delegacioni qeveritar i Kosovës, po ashtu, do të shpalosin progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, reformat që po ndërmerren dhe orientimin e plotë të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për integrime evropiane.

Top Channel