Global Peace: Edhe Shqipëria e rrezikuar nga terrorizmi

18/11/2015 18:55

Bota ndihet e kërcënuar më shumë se kurrë nga terrorizmi, duke marrë parasysh jetët e humbura të njerëzve, si dhe ndikimin ekonomik që kjo valë sulmesh ka sjellë.

Sipas një raporti të ri të Global Peace, më shumë se 30 vende të botës janë të ekspozuara ndaj terrorizmit.

Indeksi më i lartë është 4, me ngjyrë vishnje, të cilin e mbajnë vende si Iraku, Afganistani, Nigeria apo Pakistani, ndërsa në Europë Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja.

Në këtë renditje as Shqipëria nuk mbetet pas. Rreziku për vendin tonë është vlerësuar me ngjyrën mustardë dhe mban indeksin 2. Të njëjtin nivel kanë edhe Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Ndërsa më të ekspozuarit nga terrorizmi në rajon janë Kosova, Greqia dhe Bosnja. Shifrat, që vijnë nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen, kanë marrë parasysh kostot e drejtpërdrejta dhe të tërthorta nga numri i viktimave deri tek shkatërrimi i pronave, si edhe shpenzimet që lidhen me rritjen e sigurisë së shteteve.

Ndikimi ekonomik i terrorizmit në të gjithë globin ka arritur 52.9 miliardë dollarë, një rritje 10-fish që nga fillimi i shekullit. Po ashtu, numri i vdekjeve të shkaktuara nga sulmet terroriste shënon një rritje rekord prej 80 për qind.

Po ashtu, statistikat që vijnë nga organizata Vision of Humanity tregojnë se grupet terroriste përgjegjëse për numrin më të lartë të viktimave janë: Boko Haram dhe Shteti Islamik.

Së bashku, ata kanë marrë përsipër 51 për qind të të gjitha vdekjeve globale nga terrorizmi, ndërsa në tërësi ata konsiderohen përgjegjës për 40 qind të të gjitha vdekjeve në botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA