Greqia arrin marrëveshjen me huadhënësit për reformat financiare

17/11/2015 21:00

Ministri grek i Financave, Efklidis Tsakalotos ka njoftuar në një konferencë për shtyp, se Athina ka arritur një marrëveshje me huadhënësit e saj për reformat financiare të kërkuara. Kjo marrëveshje i hap rrugën zhbllokimit të këstit të parë të ndihmës prej 2 mld eurosh për sektorin publik dhe 10 mld të tjerave për rikapitalizimin e bankave nga paketa e tretë e ndihmës prej 86 mld për Greqinë.

Marrëveshja është pritur me pozitivitet nga kreu i Eurogrupit, Diijselbloom dhe komisioneri europian për Ekonominë, Moskovisi, të cilët kanë deklaruar se presin që Paralmenti të aprovojë marrëveshjen të enjten dhe në ditët në vazhdim Athina të marrë paratë e ndihmës.

“Marrëveshja mbulon që të 48 masat paraprake të kërkuara. Besojmë se ishte një negocimi i vështirë, ka pasur një presion të madh për shkak të kufizimeve kohore në lidhje me rikapitalizimin e bankave”, tha Efklidis Tsakalostos, ministër i Financave.

Bisedimet maratone midis zyrtarëve të lartë grekë dhe përfaqësuesve të BE-së dhe FMN-së kishin hasur në një ngërç për shkak të kredive të këqia, të cilat shkojnë deri në 107 mld euro dhe mbi 400.000 grekë rrezikoheshin të humbnin shtëpitë e tyre.

Athina ka përshëndetur marrëveshjen, pasi kreditorët kanë renë dakord që të mbrohen më shumë se 60% e huamarrësve që për shkak të krizës, jetojnë nën nivelin e varfërisë dhe nuk mund të paguajnë detyrimet e tyre hipotekare.

“Synimi ynë i përbashkët është që kreditë e këqija nuk mund të vazhdojnë të përbëjnë 40 për qind të gjithë kredive, kjo shifër duhet të ulet. Ju kujtoj se kreditë e këqija në sektorin bankar europian shkojnë nga 5-7%. Pra, pjesë e strategjisë sonë është që të pakësohen këto kredi duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion”, u shpreh Jorogos Stathakis, ministër i Ekonomisë.

Të dy palët kanë ranë dakord gjithashtu me futjen e një takse të ulët mbi lojërat e fatit dhe çmimit të verërave për të zëvendësuar rritjen e TVSH në arsimimin e fëmijëve.

Ndërsa bisedimet midis Greqisë dhe huadhënësve të saj ndërkombëtarë mbi një grup të dytë të reformave do të vazhdojnë në Athinë deri të premten, arritja e marrëveshjes ka sjellë si rezultat për herë të parë pas 12 muajsh rënien e normës së interesit të obligacioneve shtetërore dhjetëvjeçare dhe dyvjeçare të Greqisë.

Top Channel