Përurohet parkingu i dytë me pagesë, Veliaj: Të ardhurat, investim për qytetin

16/11/2015 13:40

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përuruar parkingun e dytë publik me pagesë tek stadiumi “Selman Stërmasi”. Pas parkimit tek Sheshi Italia, ky do të jetë parkingu i dytë publik me pagesë, të ardhurat e të cilit do të kthehen në investime.

“Kjo është një mënyrë se si vetëm me 100 lekë dhe me një faturë tatimore, çdo qytetar praktikisht investon në një qytet më të mirë. Me këto para që ne mbledhim nga parkimi mbjellim më shumë pemë se këto që kemi mbjellë këtu, bëjmë më shumë korsi biçikletash, si ajo që kemi bërë në rrugën “Dritan Hoxha”, shtojmë hapësirat e gjelbra, ashtu siç po bëjmë tek liqeni dhe hapësira të tjera”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se, ndryshe nga modeli kur hapësirat publike menaxhoheshin nga deputetët e Partisë Demokratike, këto prona publike do të shfrytëzohen për interes të qytetarëve.

“Kjo hapësirë ishte një parking i paligjshëm dhe menaxhohej nga një deputet i PD. Unë besoj se është më mirë kur e menaxhon bashkia për të gjithë qytetarët, sesa një deputet që i merr dhe i fut në xhep paratë. Për të sqaruar këdo që është shqetësuar nga opozita, e di që ju janë prekur interesat, por unë jam zgjedhur për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Tiranës, kurse ata u zgjodhën që të mbronin interesat e deputetëve të tyre”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës, vijoi ai, së shpejti do të fillojë punimet për parkimin publik “Eco-parking”, pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA