Blindohet miqësorja Angli-Francë

16/11/2015 18:25

Ndeshja miqësore mes Anglisë dhe Francës, të martën në Uembli të Londrës, e cila pas sulmeve terroriste në Paris u mendua se nuk do të zhvillohej, më në fund do të zhvillohet dhe policia britanike ka vendosur të vendosë jashtë dhe brenda stadiumit policë të armatosur.

Mijëra tifozë pritet të shkojnë në Uembli për të parë këtë ndeshje, e cila merr një simbolikë mjaft domethënëse pas sulmeve terroriste në Paris.

Pamjet e patrullave të armatosura të policisë mund të duken alarmuese për disa, por komandantët  e lartë të Scotland Yardit besojnë se kjo masë është e domosdoshme si masë paraprake në rast se ky impiant sportiv do të jetë objekt i terroristëve.

Autoritetet kanë theksuar se nuk ka ndonjë informacion të veçantë për kërcënim për këtë event sportiv, por sigurisht që në evenimente të tilla të profilit të lartë, në Londër dhe qytete të tjera britanike pritet në javët në vijim të ketë përforcime të policisë dhe forcave të sigurisë, nisur nga ajo që ngjau në Paris.

Kryemeinistri britanik, David Cameron u kërkoi britanikëve të sfidojnë kërcënimet terroriste dhe të mos ndryshojnë mënyrën britanike dhe perëndimore të jetës dhe deklaroi se do t’i merrte fëmijët e tij dhe do shkonte në Uembli për të parë ndeshjen miqësore mes Anglisë dhe Francës.

Top Channel