ATP Tour Finals, Djokovic dhe Federer e nisin me fitore

16/11/2015 00:00

Roger Federer e nisi me një fitore të lehtë aventurën e tij në turneun e fundit Masters të vitit: ATP Tour Finals. Në ndeshjen e tij të parë në grupin “Stan Smith”, zvicerani mposhti çekun Thomas Berdych me rezultatin 2-0.

Federer e nisi sfidën duke humbur një “game” me shërbimet e tij, por shumë shpejt i riktheu gjërat në favor, duke e fituar setin e parë 6-4. Seti i dytë ishte akoma më i lehtë për numrin 3 të renditjes botërore, i cili arriti ta fitojë 6-2.

Ndeshja e dytë në grup për Federerin është ajo me serbin Novak Djokovic. Numri 1 i renditjes botërore e ktheu në një seancë stërvitore sfidën me japonezin Kei Nishikori, të cilin e mposhti 2-0. Djokovic nuk djersiti shumë në ndeshjen e tij, duke e dominuar totalisht atë, për t’i mbyllur të dy setet me të njëjtin rezultat: 6-1.

Sot do të luhen dy ndeshjet e Grupit “Ilie Nastase”. Andy Murray do të përballet me David Ferrer, ndërsa Stanislav Wawrinka do të luajë kundër Rafael Nadal.

Top Channel