F1, Nico Rosberg fiton në Brazil dhe siguron vendin e dytë në renditje

15/11/2015 18:40

Nico Rosberg ka fituar edhe Çmimin e Madh të Brazilit, duke mundur shokun e tij të skuadrës në fitoren e pestë personale në këtë sezon.

Ka qenë një garë manuale kjo për gjermanin e skuadrës Mercedes, i cili startoi shumë mirë më pas udhëhoqi gjithçka në mënyrë perfekte, duke mos e vënë asnjëherë kryesimin e garës në rrezik.

Hamilton tentoi disa herë në distancë të ushtronte presion dhe të vinte në vështirësi Rosberg, por ishte e pamundur, maksimumi i kampionit të botës ishte thjesht afrimi me të, pa pasur atë marshin më tepër që do t’i duhej për ta parakaluar.

Një garë shumë të mirë ka zhvilluar edhe gjermani i Ferrarit, Sebastian Vettel, i cili e kaloi finishin i treti.

Për disa xhiro ishte në ritmin e makinave të “argjendta”, por në momentin e duhur ato sërish kishin diçka më tepër se “kokëkuqja” që drejtonte.

Megjithatë, me këtë vend të tretë Sebastian Vettel vendos rekordin e podiumit të 13-të në këtë sezon të parë me Ferrarin.

Pas tij gjendet makina tjetër e kuqe, ajo e Kimi Raikkonen. Finlandezi edhe pse me një pit stop më pak nuk mundi të përfitojë asgjë më tepër se sa të mbante vendin e katërt, që e përfitoi që në fillim pas penalizimit të Valteri Bottas. Gara e radhës së Formulës 1 do të jetë Çmimi i Madh i Abu Dabit, më 28 dhe 29 Nëntor.

FOTO GALERI
2/15

Top Channel