“Fiks Fare”, historia e dy të moshuarve në Trebinjë

13/11/2015 00:00

“Fiks Fare” ka sjell këtë të premte historinë e dy të moshuarve nga fshati Trebinjë e Mokrës të cilët jetojnë në kushte të rënda. 80-vjeçari Hysen Qosja kishte marrë rrugën deri në Tiranë duke u paraqitur në zyrat e Top Channel për t’i bërë një kërkesë gazetarëve të “Fiks Fare” që ta vizitonin dhe t’i ndihmonin.

“Kam ardhur këtu tek ju për të më ndihmuar. Jemi dy pleq, unë jam i paftë, i pashpresë, gruaja nuk di emrin e saj. Jemi të vdekur mbi dhe’. Ju lutem të vini dhe të më shikoni se ku e si jetoj, si kafshët”, tha Hyseni.

“Fiks Fare” mori rrugën deri në fshatin Trebinjë të Mokrës dhe u takua me dy pleqtë të cilët jetojnë në kushte vërtet të rënda. Pa drita, pa ujë dhe me një shtëpi që vetëm shtëpi nuk mund të quhet.

Hyseni merr një pension prej 140 mijë lekësh (të vjetra), ndërsa gruaja e tij jo. Ai thotë se prej 3 vitesh ka humbur edhe shikimin, ndërsa deri më tani askush nuk i ka shtrirë dorën e ndihmës.

Top Channel