Reforma në Drejtësi, institucionet në drejtësi bashkëbisedim me juristë nga diaspora Shkolla “Naim Frashëri” në Korçë është një shkollë me mbi 250 fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian. Në kohën kur në shkollat e tjera të qytetit numri i nxënësve për klasë kalon numrin 30, në këtë institucion arsimor mësimi bëhet me klasa kolektive dhe këta fëmijë marrin një vakt ushqimor falas si një mënyrë për të lehtësuar barrën e familjeve që t’i lejojnë të shkojnë në shkollë.
Fëmijët vijnë nga familje me nivel të ulët ekonomik, ndaj u është ofruar edhe kjo lloj mbështetjeje, por romët dhe egjiptianët nuk janë të vetmit të varfër në këtë qytet, e megjithatë vetëm ata janë futur brenda mureve të një shkolle të vetme, duke u izoluar nga pjesa tjetër.
Kjo lloj ndarjeje ka sjellë edhe reagimin e prindërve dhe fëmijëve, por edhe shoqatave për të drejtat e tyre.
“Do na pëlqente të mos kishte diskriminime nëpër shkolla”, thonë ata.
Artur Lamolli, kreu i shoqatës për të drejtat e këtyre komuniteteve, e ka konsideruar këtë si një akt të qartë diskriminimi, duke bërë përgjegjës Drejtorinë e Arsimit dhe pushtetin vendor: “Fëmijët tanë duhet të marrin kulturën e mazhorancës. Ne ndihemi keq pasi këtu kemi të bëjmë me diskriminim”.
Drejtori i shkollës, Mihal Gorica, thotë se klasat janë të hapura për të gjithë nxënësit, por shkolla “Naim Frashëri” mbetet e vetmja shkollë ku fëmijët romë dhe egjiptianë marrin një vakt ushqimor si stimul: “Është bërë një politikë shumë intensive për të afruar të gjithë komunitetet, por nuk mund t’ia imponosh familjeve të sjellin fëmijët në këtë shkollë”.
I kontaktuar lidhur me këtë çështje, kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, ka sqaruar se ky është një projekt i Ministrisë së Arsimit, i cili shtrihet dhe në qytete të tjera, ndërsa bashkia çdo vit ka mundësuar për fëmijët romë dhe egjiptianë kite shkollore në të gjitha shkollat. Për disa prindër, të cilët nuk e pranojnë publikisht, shkolla “Naim Frashëri” ka qenë e vetmja shkollë e cila ka pranuar fëmijët romë dhe egjiptianë edhe nga lagje të largëta të qytetit, pasi ata nuk janë pranuar në shkollat afër banesave të tyre.
Top Channel