Venger: Shumë skuadra në futboll dopojnë lojtarët e tyre

11/11/2015 10:10

Arsene Venger mendon se dopingu nuk është problem vetëm në atletikë, por edhe në futboll.

Trajneri i Arsenalit deklaroi në një intervistë për gazetën franceze “L’Equipe” se skuadra që ai drejton prej vitesh tashmë, ka patur përballë disa skuadra që përdorin substanca të ndaluara në sport.

Venger mbështeti këtë deklaratë me gjetjet ndaj kapitenit të Dinamos së Zagrebit, Arjan Ademi, i cili u gjet pozitiv në testin e dopingut pas përfundimit të takimit me Arsenalin dhe të fituar nga kroatët me rezultatin 2-1.

“Është e vështirë për një skuadër kur ke përballë rivalë që përdorin substanca të rritjes artificiale të përformancës dhe vetë nuk është në ditën e saj më të mirë”, thotë Venger.

Francezi shton se asnjëherë nuk u ka dhënë lojtarëve të tij substanca stimuluese.

“Në 30 vite si trajner kurrë nuk u kam injektuar apo dhënë lojtarëve të mi produkte që do të rrisnin artificialisht performancën e tyre. Jam krenar për këtë, por shumë skuadra kundërshtare në gjithë këto vite nuk kanë ndarë të njëjtin mendim”, shton ai.

Në fund, Venger kërkon më shumë angazhim nga strukturat drejtuese në luftën kundër dopingut, sidomos në futboll.

“Sinqerisht besoj se nuk po bëhet mjaftueshëm në këtë fushë. Është tejet e vështirë për mua që të besoj se nga 740 lojtarë pjesëmarrës në një kupë bote, të dilet me 0 probleme”, thotë ai.

Kjo nuk është deklarata e parë e trajnerit të “Topçinjve” kundër dopingut. Dy vite më parë, në mesin e skandalit të dopingut të çiklistit Lens Armstrong, ai do të deklaronte se “sporti është i mbushur me legjenda që në fakt janë mashtrues”.

Top Channel