Rinovimi me Guardiolën, Bajern ofron 24 mln euro pagë në vit

11/11/2015 00:00

Pep Guardiola, ende nuk ka marrë një vendim për rinovimin e kontratës me Bajernin e Mynihut dhe zërat për një largim të mundshëm nga Bavaria janë shtuar.

Për këtë arsye, drejtuesit e skuadrës kampione të Gjermanisë kanë vendosur të bëjnë një ofertë marramendëse në drejtim të teknikut katalanas, për ta bindur atë që të qëndrojë.

Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja britanike “Daily Mirror”, Bajerni po mendon t’i propozojë 44-vjeçarit një kontratë të re, me një pagë prej 24 milionë eurosh në sezon.

Pep Guardiola, aktualisht është trajneri më i paguar në botë me 20 milionë euro në sezon, teksa ka hyrë në sezonin e tij të tretë me Bajernin e Mynihut.

Pas dy titujve kampionë të Bundesligës, ai kërkon tashmë suksesin në Champions League. Do të jetë ndoshta ky kompeticion, ai që do të vendosë nëse Guardiola do të zgjasë kontratën me Bajernin apo jo.

Nëse dështon në këtë objektiv të tij, atëherë ai ka të ngjarë të mos e zgjasë kontratën me Bajernin dhe, në këtë rast, pritet të hyjnë në skenë Manchester City, Chelse madje edhe Arsenali, që janë vënë në ndjekje të trajnerit spanjoll.

Top Channel