Miqësoret, Gjermania në “sfidë luksi” me Francën

11/11/2015 00:00

Gjermania ka nisur tashmë përgatitjet për sfidën miqësore, që do të luajë të premten me Francën, vendin organizator të kampionatit europian të vitit të ardhshëm.

Sulmuesi i skuadrës kampione të botës, Thomas Muller ka deklaruar se, kjo përballje ende nuk ka të bëjë me aktivitetin më të rëndësishëm futbollistik të kontinentit dhe se, ajo që duhet të bëjë kombëtarja e tij është të argëtohet në fushën e lojës.

“Është gjithnjë kënaqësi të luash përballë një kundërshtari të fortë, si Franca, në një stadium madhështor, – tha Muller. – Unë kam luajtur këtu njëherë, pikërisht kundër Francës, dhe ishte një ndeshje fantastike. Mendoj se të gjithë duam të argëtohemi në sfidën e së premtes. Në këtë moment, askush nuk po e mendon ‘Euro 2016’, pasi kjo sfidë nuk ka të bëjë aspak me atë aktivitet”.

Kjo sfidë mes Gjermanisë dhe Francës është e 28-a në historinë e këtyre dy kombëtareve. Në 27 sfidat e para, bilanci është: 11 fitore të Gjermanisë, 10 të Francës, ndërsa 6 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Herën e fundit që Gjermania dhe Franca u përballën me njëra-tjetrën ishte në 2014-n, në çerekfinalet e Botërorit të Brazilit, ku skuadra e Joachim Low fitoi 1-0, me gol të shënuar nga Matts Hummels.

Top Channel