NBA, Golden State ruan pathyeshmërinë

10/11/2015 11:15

Golden State Warriors ruan pathyeshmërinë në kampionatin amerikan të basketbollit. Skuadra kampione në fuqi e NBA këtë radhë mundi Detroit Pistons me rezultatin 109-95, duke regjistruar fitoren e 8 radhazi. Stephen Curry nuk ishte në ditën e tij më të mirë, duke e mbyllur sfidën me 22 pikë të shënuara, por kjo nuk e pengoi Warriors që të zhvillonte një tjetër ndeshje të mirë. Ai që mori përsipër më shumë për kampionët në përballjen me Pistons ishte Clay Thompson, me 24 pikë të shënuara.

Fitore shënoi edhe San Antonio Spurs që mposhti Sacramento Kings me rezultatin 106-88, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi dhe të pestën sezonale. Në “Sleep Train Arena” ata që spikatën për Spurs ishin Leonard me 24 pikë dhe Duncan me 14 topa në tabelë. Për Sacramento Kings, 21 pikët dhe 12 topat në tabelë të Cousins nuk mjaftuan për të evituar disfatën e gjashtë radhazi në NBA.

Chicago Bulls rikthehet te suksesi. Skuadra nga Ilinoisi mundi Philadelphia 76ers me rezultatin 111-88. Për skuadrën e Bulls, protagonist i takimit u bë Nikola Mirotic me 20 pikë dhe 10 topa në tabelë, ndërkohë që për 76ers më i miri ishte Okafor me 21 pikë dhe 15 topa në tabelë.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Indiana Pacers fitoi me Orlando Magic 97-84, Minnesota Timberwolves mundi Atlanta Hawks 117-107, Denver Nuggets mposhti Portland Trail Blazers 108-104, ndërsa Los Angeles Clippers triumfoi ndaj Memphis Grizzlies 94-92.

Top Channel