Berat, shkolla e Dyshnikut në mëshirë të fatit

09/11/2015 17:45

Fshati Dyshnik, tashmë pjesë administrative e Bashkisë së Beratit, ndodhet vetëm pak kilometra nga hyrja e qytetit. Shkolla e tij 9-jeçare ku mësojnë 326 nxënësit e saj ndodhet në një gjendje skandaloze.

Godina njëkatëshe e kësaj shkolle, e rikonstruktuar 15 vjet më parë, ka probleme të mëdha përsa i takon infrastrukturës.

Dyert dhe dritaret janë krejtësisht të shkatërruara, lagështira në mure është prezente kudo, por problemi më i madh me të cilin përballen stafi dhe nxënësit janë banjot.

Ato ndodhen jashtë ambjeneteve të shkollës, por problemi është se nuk plotësojnë asnjë kusht higjeno-sanitar.

Drejtori i shkollës, Shkëlqim Hibro, i cili ka në administrim dhe dy shkolla të tjera të fshatrave Qereshnik dhe Ullinjas, shprehet se për problemet e godinës ka vënë në dijeni instancat përkatëse, specialistët e mirëmbajtjes dhe bashkinë e qytetit.

Sipas tij, problemet janë të mëdha, por më kryesorja është pikërisht banjoja, ku mungon uji. Ata që vuajnë më shumë këto kushte skandaloze janë nxënësit. Të detyruar që t’i përdorin banjot, ata shprehen se uji mungon dhe kushtet e higjencës lënë shumë për të dëshiruar.

Problemi i shkollës është i mbartur dhe megjithëse kanë kaluar vite, ankesat e drejtuesve të saj kanë mbetur pa marrë përgjigje.

Top Channel