Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar për “Kosovapress” se kërkesa e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga në lidhje me asociacionin e komunave serbe është regjistruar dhe është duke u proceduar.
Por, sipas Dulës, është herët për t’u prononcuar lidhur me atë se kur do të jepet mendimi i kësaj gjykate për lëndën e dërguar nga Presidentja. Sipas tij, mbetet çështje e brendshme se si do të procedohet më tutje.
Afati ligjor për të dhënë një vendim lidhur me këtë lëndë është deri në 60 ditë.
Ndërkohë, ish-kreu i këtij institucioni, Enver Hasani, ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë termin “Kuvend kushtetutëbërës” që është përdorur në marrëveshjen për asociacionin.
Hasani ka thënë në një opinion të botuar se në nenin 3 të Marrëveshjes për Asociacionin përcaktohet se statuti i asociacionit do të miratohet nga “një kuvend kushtetutëbërës” e që, sipas tij, ka tërësisht kuptim të ndryshëm si në formë ashtu dhe në përmbajtje nga termi “kuvendi themelues”, siç është përkthyer në gjuhën shqipe.
Ky term, sipas ish-kreut të Kushtetueses, duhet të sqarohet nga ky organ.
Top Channel