Në Paris u zhvillua konferenca e përgjithshme e UNESCO-s, takim që u mbajt për të promovuar edukimin si edhe për të ndaluar rrjedhën e ekstremizmit të dhunshëm.
Teksa bota përballet me një kërcënim që nuk njeh kufij, anëtarët e UNESCO -s treguan angazhimin e tyre në përballimin e kësaj sfide duke cilësuar dijen dhe arsimin si “armën e duhur”.
Pjese e kësaj konference ishte edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila vuri theksin në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke e përmendur rolin e saj në shumë organizata ndërkombëtare, si një realitet gjeopolitik në Europën Juglindore.
“Anëtarësimi i Kosovës në Unesco, është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar. Kosova me historinë, popullin, monumentet dhe kulturën e saj, ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit. Të gjithë shtetet e tjera të rajonit janë anëtare të UNESCO-s dhe do te ishte absurde, madje dhe qesharake, që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë edhe formalisht brënda organizatës më të madhe në aspektin e kulturës dhe arsimit, ndërkohë që Kosova është pjesë e saj prej lidhjes së saj organike dhe historike. Kultura nuk njeh kufij adiministrativë. Kultura nuk mbrohet duke përjashtuar Tjetrin, përkundrazi, ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO-s”,u shpreh Kumbaro.
Ndërkaq nga ana tjetër ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u shpreh kundër përdorimit të UNESCO-s si mjet për të legjitimuar “shtetin e vetëshpallur të Kosovës” – sipas tij.
“Me gjithë vështirësitë e jetës politike ndërkombëtare, është e rendesishme shmangja e politizimit ne aktivitetet e UNESKO-s, ku ne aktualisht jemi dëshmitarë në lidhje me përpjekjet për t’i hapur rrugen anëtarësimit te Kosoves, në shkelje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Lavrov.
Për ambasadorin serb në Rusi Sllavenko Terzic, fakti i anëtarësimit të Kosovës në Unesco , është dëshmi e një krize të thellë të të drejtës ndërkombëtare, një krizë e botës së sotme- u shpreh ai. Më 21 tetor, Komiteti Ekzekutiv i UNESCO-s e bëri një rekomandim për anëtarësimin Kosovës , por votimi për të dhënë verdiktin përfundimtar do të mbahet ditën e hënë.
Top Channel