Komisioneri i BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, ka zhvilluar një vizitë në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë, ku është pritur nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Guglielmo Luigi Miglietta.
Duke e mirëpritur nënshkrimin e MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, komandanti i KFOR-it theksoi rëndësinë e madhe që luan dialogu mes Prishtinës e Beogradit, proces i udhëhequr nga BE-ja.
Ai përmendi rolin e rëndësishëm të pranisë së BE-së në Kosovë.
Ndërkaq, Komisioneri Hahn theksoi rolin e rëndësishëm që KFOR-i luan në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.
Në Mitrovicën e veriut, Gjenerali Miglietta takoi Drejtoreshën e Administratës Komunale të Mitrovicës së veriut, Adrijana Hoxhiç. Ata diskutuan çështjet e sigurisë dhe perspektivën e përmirësimit të kushteve të jetesës në veriun e Mitrovicës.
Gjenerali Miglietta gjatë takimit ka theksuar po ashtu se KFOR-i është plotësisht i zotuar drejt promovimit të mjedisit paqësor dhe tolerant në Mitrovicën e veriut.
Sipas një komunikate të KFOR-it, pas vizitës në kamp, Miglietta dhe komisoneri Hahn kanë fluturuar së bashku drejt bazës ushtarake të KFOR-it në Pejë.
Top Channel