Vizita e besimtarëve ortodoksë serbë, të cilët udhëtuan drejt Gjakovës me një autobus, këtë herë nuk është shoqëruar me protesta dhe kundërshtime nga qytetarët e Gjakovës.
Ndërkohë që masat e rrepta të sigurisë nuk kanë munguar. Kjo vizitë e pelgrinëve pjesëmarrës në një festë fetare në kishën ortodokse në Gjakovë ndodhi dy ditë para se në UNESCO të votohet për anëtarësimin e Kosovës.
Ndaj dhe reagimi i qytetarëve të Gjakovës për vizitën e pelegrinëve serbë në opinion është parë si test për garën që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë para ngjarjes së të hënës.
Kryetarja e komunës, Mimoza Kusari Lila ka postuar një falenderim në Facebook: “Faleminderit të gjithë banorëve të Komunës së Gjakovës, organeve të rendit, subjekteve politike dhe grupeve e shoqatave për pjekurinë dhe nivelin e lartë të demokracisë së treguar sot. Të presim me gëzim të hënën!”.
Ish-kryetari i komunës gjatë regjimit serb, Gjokica Stanojeviç ka pranuar se të shtunën qytetarët gjakovarë i kanë dërguar botës një fotografi të mirë.
Pelegrinët serbë në janar të këtij viti ishin penguar të hynin në kishën ortodokse të Gjakovës për Krishtlindjen Ortodokse nga protestuesit e mbledhur nga lëvizja Vetëvendosje dhe shoqata “Thirrjet e Nënave”.
Në një reagim të sajin, qeveria e Kosovës ka përshëndetur maturinë e qytetarëve gjakovarë dhe pelegrinëve, duke vlerësuar se pranimi në UNESCO do të ishte një plus për ruajtjen e vlerave fetare.
Top Channel