Raporti gjerman: Bie ndjeshëm numri i azilkërkuesve shqiptarë

06/11/2015 15:00

Raporti më i fundit i Zyrës Gjermane të Emigracionit tregon një rënie të ndjeshme të numrit të azilkërkuesve shqiptarë përgjatë tre muajve të fundit.

Në tetor, niveli i kërkesave për azil thuajse është përgjysmuar në krahasim me gushtin. Shifrat e ofruara në raport e dëshmojnë fare qartë një gjë të tillë: gjatë gushtit, autoritetet gjermane kanë regjistruar 8.306 kërkesa azili nga shtetas shqiptarë.

Muajin pasues, numri i tyre ka rënë në 6.741 për të mbërritur pas kësaj thuajse në përgjysmim: 4.680. Listën e kryesojne si përherë sirianët, kërkesat e të cilëve për azil gati janë dyfishuar muajin që shkoi në krahasim me gushtin.

Në vendin e tretë e të katërt të renditjes prej 10 dhjetë shtetesh vërehet një rritje e emigrantëve nga Iraku e Afganistani, ndersa Kosova është e fundit me vetëm 753 kërkesa të paraqitura në tetor.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia janë shpallur nga Berlini zyrtar vende të sigurta të origjinës, çka nënkupton se personat që vijnë prej andej nuk kanë kurrëfarë shansesh për të marrë azil.

Ndërkaq, prej disa javësh qeveria gjermane ka nisur kthimin e shqiptarëve përmes avionëve specialë, ndësa ka bërë të ditur vazhdimisht se nuk do të pranojë kërkesa për azil.

Një ditë më parë, Thorsten Klute, sekretar Shteti në Ministrinë për Punë dhe Integrime në landin Rehni Verior Vestfalia, sqaroi se për shqiptarët dhe kosovarët ekziston gjithmonë mundësia që në Gjermani të shkojnë në mënyrë legale.

Për këtë arsye, argumentoi ai, njerëzit nuk ia vlen të marrin rrugën me shpresën e sistemimit nëpërmjet sigurimit të së drejtës së azilit. Ne duhet të gjejmë rrugë të tjera bashkëpunimi, u shpreh ai, dhe azili nuk është një prej tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA