Një zjarr ka përfshirë mesditën e kësaj të premteje një banesë në një pallat në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit.
Zjarri ka rënë në katin e tretë të pallatit pesëkatësh, në banesën e familjes së Alket Pepës, ndërkohë që sipas informacioneve të para shkak i tij ka qënë një shkëndijë si pasojë e luhatjeve të tensionit elektrik.
Në momentin e rënies së zjarrit në banesë mësohet se ka qënë vetëm e zonja e shtëpisë, e cila është shtatëzënë, por që fatmirësisht, falë edhe ndëryrjes së banorëve të tjerë, ka dalë nga shtëpia dhe nuk ka pësuar asnjë lëndim.
Në vendngjarje, sapo kanë marë njoftimin, kanë shkuar menjëherë forcat e zjarrfikëses si dhe uniformat blu të Fierit. Falë ndërhyrjes së mjetit zjarrfikës është bërë e mundur shuarja e zjarrit, duke shmangur përhapjen e flakëve në banesat e tjera të këtij pallati.
Për shkak të intensitetit të flakëve mësohet se banesa ka pësuar dëme të mëdha materiale, ndërkohë që policia po heton për të pasur një tablo më të qartë të ngjarjes.
Top Channel