Skënderbeu thyen Sportingun, merr 3 pikëshin e parë në Europë

05/11/2015 22:20

Skënderbeu arriti një fitore historike në “Elbasan Arena” mbrëmjen e kësaj të enjteje, duke mposhtur 3-0 portugezët e Sportingut, në ndeshjen e vlefshme për Europa League.

Dy gola nga Lila në 45 minutat e para dhe një nga Nimaga në pjesën e dytë i dhanë fitoren e pastër korçarëve dhe tre pikët e para në grupin H, ku bëjnë pjesë edhe Besiktas e Lokomotiva e Moska, të cilët ndeshjen mes tyre e mbyllën në barazim 1-1.  

Në ndryshim nga takimi në Portugali, ndeshja në “Elbasan Arena” nisi në mënyrë të shkëlqyer për Skënderbeun, duke shënuar që në minutën e 15 me Lilaj, ndërsa vetëm 2 minuta më vonë portieri i Sportingut, Rui Patricio, u ndëshkua me kartonin e kuq, ndërsa korçarët patën të drejtën e ekzekutimit të një 11-metërshi. Ishte Lilaj, autori i golit të parë që mori përgjegjësinë e goditjes së këtij 11-metërshi. Përballë portierit të sapo aktivizuar, korçari u tregua i saktë duke e çuar rezultatin në 2-0.

Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, megjithëse Berisha pati mundësi të shënonte edhe golin e tretë për Skënderbeun, ndërsa portugezët thuajse nuk rrezikuan në asnjë rast në 45 minutat e para të ndeshjes.

Edhe pjesa e dytë po ashtu si e para nisi me gol për korçarët, Nimaga shënoi golin e tretë me një parabol mjaft të bukur nga rreth 35 metra.

Më pas, të besuarit e Josës arritën të menaxhojnë më së miri minutat e mbetura të takimit, duke mos e vënë thuajse asnjëherë portën në rrezik dhe fitoren në diskutim.

Edhe pse Skënderbeu arriti të merrte 3 pikë në këtë ndeshjes, sërish ndodhet në vendin e fundit në grupin, i cili udhëhiqet nga Lokomotiva e Moskës me 5 pikë, Besiktas 6 pikë në vendin e dytë dhe Sportingu në vendin e tretë me 4 pikë.

Ndeshja e radhës për korçarët në Europa League është ajo ndaj Besiktas më 26 nëntor në Turqi.

Top Channel