Shqipëri-Kosovë, rikthehen kontrollet e dyfishta në kufi; kërkesë e KE-së

04/11/2015 18:30

Kosova dhe Shqipëria brenda pak javësh do të jenë të detyruara që të rikthejnë kontrollet e dyfishta kufitare.

“Kjo është kërkesë eksplicite ndaj Prishtinës dhe Tiranës”, ka bërë të ditur ministri i Integrimit Europian Bekim Çollaku.

Por deri në rikthim praktik të kontrolleve të dyfishta, kanë mbetur edhe disa procedura qeveritare që do t’i hapnin rrugë policisë për shtimin e  kontrolleve.

Policia e Kosovës në një përgjigje elektronike për Top Channel ka sqaruar se janë në pritje të një vendimi të qeverisë për të nisur pastaj me zbatimin e kontrolleve të dyfishta kufitare.

Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrim Europian, ministri Çollaku ka thënë se Komisioni Europian ka kërkuar rikthimin e dy ndalesave kufitare, me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar.

Sipas Çollakut, kërkesa e Komisionit Europian lidhet me procesin e liberalizimit të vizave.

Pas aplikimit sezonal në stinën e verës, kontrolli në të dy pikat kufitare gjatë  kalimit të kufirit ishte hequr përfundimisht në korrik të 2011-ës në bazë të marrëveshjes dypalëshe “Një ndalesë, një kontroll”.

Marrëveshja  në lidhje me procedurat e përbashkëta të kontrollit në pikëkalimet kufitare Morinë-Vermicë, Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë u zbatua pas instalimit të sistemit TIMS edhe në pikën kufitare kosovare të Vërmicës.

Reduktimi i kontrolleve ndikoi në pakësimin e radhëve të automjeteve në kufirin mes dy vendeve, sidomos gjatë stinës së verës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA