Rama-Pitella: Negociatat për anëtarësim çelen në 2016-n

03/11/2015 14:40

Kryeministri Edi Rama, pas takimit me Presidentin e Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve europianë, Gianni Pittella, ku morën pjesë edhe Knut Fleckenstein – raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, – dhe eurodeputeti Richard Hoëitt, u shpreh optimist për çeljen e negociatave për antarësim në BE.

“Viti i ardhshëm duhet të jetë viti i hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, bazuar në gjithë ecurinë e qëndrueshme dhe të vendosur të qeverisë shqiptare dhe të shumicës së qeverisë, për të çuar përpara një proces të gjerë reformash shtetndërtuese”, tha kreu i ekzekutivit, Rama.

Tashmë që kombëtarja shqiptare e futbollit është kualifikuar për në Europianin e 2016-s, tha Pitella, atëherë edhe çelja e negociatave duhet të ndodhë pa vonesa.

“Ne besojmë se, Shqipëria duhet të fillojë me shpejtësi negociatat. Qeveria ‘Rama’ ka bërë një punë shumë të mirë në të gjithë sektorët, që u takojnë qytetarëve dhe që kërkoheshin nga Komisioni Europian, si lufta kundër korrupsionit, reforma në administratën publike, rritja ekonomike, kohezioni social. Ka një propozim për një reformë në sistemin juridik, që përfaqëson një avancim të rëndësishëm, dhe që unë inkurajoj të shkojë përpara edhe në këtë sektor të vështirë, që është njëkohësisht kyç edhe për qytetarët tanë. Ndaj, unë besoj se 2016-a duhet të jetë viti i hapjes së negociatave. Siç po thoshim me Edin gjatë takimit tonë, nuk mund të jemi kandidatë për fejesë pa komunikuar. Nëse duhet të ndërmarrësh një fejesë, e më pas një martesë, duhet të diskutohet, të flitet. Kështu që është e drejtë, që pasi ka bërë mirë detyrat në shtëpi, Shqipëria të shndërrohet negociatore e partnere me BE-në, që pastaj të arrijë në 2019-n të jetë një anëtare e Bashkimit Europian”, tha Gianni Pitella, kreu i PASD në Parlamentin Europian.

Rama nuk dha ndonjë koment specifik për reformën në drejtësi.

“Tanimë, paketa është në duart e Komisionit të Venecias. Ne presim me qetësi, por edhe me padurim, reagimin e Komisionit të Venecias përmes një raporti të ndërmjetëm. Shpresojmë ta kemi në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit, e që besojmë se do të jetë një konfirmim i rëndësishëm në prag të Këshillit Europian”, tha më tej kryeministri Rama.

Për krizën e refugjatëve, pjesë e diskutimit të këtij takimi, Rama theksoi se “Shqipëria, pavarësisht se nuk është pjesë e korridorit, është e përgatitur të marrë përsipër përgjegjësinë e saj dhe të luajë rolin e saj, si të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, për t’iu gjendur pranë një aleati të madh strategjik, siç është Bashkimi Europiani, dhe posaçërisht partnerëve kaq të rëndësishëm, siç janë për ne Gjermania dhe Austria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA