Rama: Drejtësia dhe kualifikimi i krahut të punës, problem për investimet

03/11/2015 10:50

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për arsimin profesional thotë se tre problemet kryesore për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri janë sistemi i drejtësisë, titujt e pronësisë dhe krahu i pakualifikuar i punës.

Duke u ndalur tek kjo e fundit, ambasadori gjerman Hoffman tha se prej vitesh Shqipëria i ka dhënë prioritet edukimit akademik duke lënë në harresë formimin professional, për të cilin tregu i punës ka shumë nevojë.

“Nuk është ide e mirë që të injorohet trajnimi profesional, për zanate të ndryshme”, tha Hoffman.

Kryeministri Rama tha se qeveria është e vendosur t’i japë prioritet ngritjes së një rrjeti cilësor të arsimit profesional.

“Ideja për të ndërtuar një rrjet shkollash profesionale të ekselencës në bashkëpunim me një numër donatorësh të përzgjedhur jo pse kanë para, por se kanë dijen e nevojshme, nga Gjermania, Austria dhe Zvicra është ide fituese për t’ju dhënë një mesazh dhe një rrugë shumë të qartë të gjithë atyre fëmijëve që hyjnë në rrugën e arsimit profesional dhe gjithë atyre prindërve që investojnë për këtë”, deklaroi kryeministri Rama.

Kryeministri thotë se të dhënat e para janë inkurajuese dhe që në vitin e parë të asaj që e cilëson reform në arsim, numri i vajzave dhe djemve që janë regjistruar në shkolla profesionale është dyfishuar, ndërsa jo i paktë ka qenë edhe interesi i kompanive për të dhënë kontributin e tyre në këtë përpjekje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA