“Kuponi”, Berisha: Ikni nga Shqipëria;  Braçe: Je antishqiptar!

03/11/2015 00:00

Ndryshimet në kodin penal për kontrabandën dhe evazionin fiskal shkaktuan përplasjen e radhës në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës.

Ish-kryeministri Berisha bëri një parashikim të zymtë pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve.

“Ky është një ligj tipik stalinist. Ju do të fusni në burg, por ju harroni se vetëm me këtë masë në do të përjashtoni dhjetëra-mijëra hektarë tokë nga punimi. Tani ju thoni sillni edhe kupon, por çfarë do të thotë kjo? Sillni kupon do të thotë që ne s’po dalim më në treg. Me se del ai në treg? Ai në treg del me gjëra të vogla që, si me dy pola apo me 15 vezë”, tha Berisha.

“Ne kemi dashur të bëjmë ekonomi tregu, por kemi krijuar të pasur, por ekonomi tregu akoma. Kjo ka ardhur pasi edhe në kohën tuaj edhe në kohën tonë kontrabanda ka bërë namin. Kontrabanda nuk është bërë nga ai i vogli, por nga ai i madhi. Në këto nene që ne po ndryshojmë sot, por ndryshojmë nenet që godasin të madhin dhe jo të voglin dhe ky realitet nuk ka ndodhur këto dy vite “doktor”. Ama ka një kontradiktë shumë të rëndësishme që ju bërtisni, mbani konferenca shtypi nga mëngjesi deri në dark, duke thënë që mazhoranca po bën kontrabandë,  kontrabandë,  kontrabandë,  … Ama kur vini këtu për ta dënuar më ashpër kontrabandën, thoni që nuk po goditet kontrabanda, por qytetari. Tani o kështu, o ashtu… në mes nuk ka; o është shtatzënë o nuk është, pak shtatzënë nuk ka”, reagoi deputeti i PS, Pandeli Majko.

Megjithë sqarimin e Pandeli Majkos për lehtësimin e masave ndaj biznesit të vogël që iu bë draftit të parë të Qeverisë, ish-kryeministri Berisha bëri një deklaratë të fortë, që shkaktoi reagimin e mazhorancës.

“Biznesmenë që nuk doni të jeni të klientelës, nuk kemi më vend në këtë vend. Dhe unë ju bëj thirrje të ikin. Në qoftë se ju bëni ligje të tilla, ku lini vend për ta në Shqipëri ju? Pse do të rrini, t’ju vinë e t’ju arrestojnë sa herë të dojë Koçoja me shokë. Ikni më mirë”, tha Berisha.

“Nëse ka një njeri që nuk e do këtë vend, që e urren çdo shqiptar në këtë vend, je ti (duke iu drejtuar Berishës). Tani unë nuk e di në ka shqiptarë që mund ti artikulojë këto gjëra, sidomos thirrjen drejtuar shqiptarëve për t’u larguar nga ky vend. Dhe ti je uniku që e thua këtë gjë. Tre gjëra nuk bëni ju. E para, që në këtë projektligj bëhet fjalë për shkelje të rënda fiskale; e dyta, që në asnjë rast nuk bëhet fjalë për biznesin e ligjshëm, për biznesin e ndershëm dhe së treti, që dënimi me burg për shkelje të rënda fiskale gjendet i vendosur nga ju në ligjin aktual, këtë duhet t’ja thoni shqiptarëve nuk duhet ta mohoni”, reagoi Braçe.

Si luftë të Qeverisë ndaj biznesit, e cilësoi Berisha edhe sjelljen me kompanitë më të mëdha në vend, duke marrë si shembull kontratën koncensionare të aeroportit. Por, ish-Kryeministri e vuri theksin te kompania më e madhe taksapaguese në vend “Bankers”, duke parashikuar humbjen e Qeverisë në Arbitrazh me kompaninë kanadeze.

“A e dini ju që ai po bëhet gati për të ikur? Dhe Koçoja po e feston ikjen e tij sepse është Koçoja që qëndron 100% pas këtij kurthi të fëlliqur, por ta dini mirë që gjoba do të jetë e tmerrshme për këtë. Megjithatë ju sërish do ta lëpini këtë që keni bërë dhe në rastin tjetër e më pas do të mashtroni shqiptarët”, tha Berisha.

“Do t’i kërkoja Berishës që të lexojë dokumentin e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për “Bankers”. Për CEZ-in e solli ta bëjë të njëjtën gjë edhe për “Bankers’. Nëse ne do të kishim bërë të kundërtën, ai do të vinte dhe do të thoshte: këta e shkatërrojnë Shqipërinë sepse këta nuk i luftojnë këto kumpani që vjedhin. Nuk ka kompani që vjedhin dhe kompani që nuk vjedhin, ka kompani që duhet të përputhë detyrimet e saja në bazë të ligjit dhe ka procedura ligjore të cilat i gjykojnë”, reagoi minitri Ahmetaj.

Top Channel