Protesta me vezë kundër kryeministrit Edi Rama, u tha nga protagonistët se kishte qëllimin e kundërshtimit të ligjit të arsimit të lartë, i cili është miratuar përfundimisht në Parlament që më 17 shtator.
Por pavarësisht miratimit të ligjit, protestat e një pjese të studentëve dhe pedagogëve, kanë qenë të vazhdueshme, që nga momenti i prezantimit të draftit të ri për ligjin në fjalë.
Një pjesë e pedagogëve dhe studentëve kanë mbajtur disa tryeza për të kundrshtuar ligjin, që sipas tyre favorizon universitetet private dhe cënon autonominë e universiteteve.
Anëtarët e grupimit Lëvizja për Universitetin kanë qenë më aktivët në kundërshtimin e ligjit në rruge, ku kryeministri është ndalur edhe për të folur me ta.
Ndërkohë, një pjesë e akademikëve u ulën në tryezë me qeverinë dhe Presidentin për të debatuar mbi ligjin gjatë periudhës disamujore që zgjati diskutimi i tij në Komisionet Parlamentare, studentët e këtij grupimi kanë protestuar përpara kryesisë së Kuvendit, duke qenë edhe me kategorikët në kundërshtimin e draftit për arsimin e lartë.
Protesta e studentëve kundër ligjit zgjati me orë të tëra, po aq sa edhe seanca e posaçme parlamentare në javën e fundit të korrikut, kur u miratua ligji i arsimit të lartë.
Kthimi i ligjit nga Presidenti ju dha kohë studentëve të kundërshtonin disa herë përmes protestave përpara Kryeministrisë, ligjin e padekretuar të arsimit të lartë.
Ata ishin sërish të pranishëm përpara sallës së seancës parlamentare më 17 shtator, kur dekreti i Presidentit për ligjin e arsimit të lartë u rrëzua dhe ligji hyri në fuqi.
Edhe pas miratimit për herë të dytë të ligjit, protestat e këtij grupimi kanë vijuar, deri në ditën kur ata menduan të kundërshtojnë ligjin në një forme jo aq të përdorur në Shqipëri; me vezë.
Top Channel