Misioni i FMN-së që ndodhet në Tiranë për rishikimin periodik të ecurisë së marrëveshjes me qeverinë, është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Njoftimi zyrtar i PD-së thotë se kryetari i saj e ka njohur misionin e FMN-së me situatën ekonomike, që sipas tij është dramatike. Shkaqet e kësaj situate për zotin Basha janë korrupsioni dhe kapja e shtetit. Sipas Bashës, janë vetëm një grup oligarkësh pranë kryeministrit ata që po përfitojnë tendera qindra miliona eurosh e po marrin me koncesion pasuritë dhe asetet publike të vendit.
Por kryetari i Partisë Demokratike i ka shprehur misionit të FMN-së edhe shqetësimin për rritjen e borxhit publik nga 61% në 72%, dhe kjo po bëhet, sipas tij, edhe nën monitorimin e partnerëve të huaj. Paratë po shkojnë për luksin qeveritar, është shprehur Basha, duke sjellë si shembull tenderin nga ana e qeverisë për makinat Jaguar, ndërkohë që nuk ka asnjë investim publik në infrastrukturë.
Nga ana e tij, misioni i FMN-së është interesuar për vizionin e opozitës për planet e fundit të qeverisë për zonat e lira ekonomike, për rritjen e taksave apo borxhin publik. Basha është shprehur se opozita është për një shtet të vogël, për taksa të ulta e ndihmë në përmbushje vullnetare të tatim-paguesve për detyrimet financiare ndaj shtetit.
Top Channel