Ndërtimi i autostradës Prishtinë- Shkup, ka nxjerrë në pah gjurmët e një vendbanimi të periudhës romake dhe një kishe mesjetare, në fshatin Rahovicë të Ferizajt. Këto zbulime janë rezultat i punës së grupit të arkeologëve të cilët janë angazhuar për mbikqyrjen e punimeve të autostradës.
Arkeologu Premtim Alaj tregoi për Top Channel se janë në fazën përfundimtare të gërmimeve dhe se në të dy lokalitetet ka gjetje interesate për periudhat të cilave u përkatsin.
“Ky objekt këtu që po shihet, mendojmë se i takon periudhës romake, kjo bazuar në gjetjet që i kemi hasur gjatë gërmimit. Kemi gjetur fragmente enësh të qeramikës, po ashtu që është me rëndësi, kemi gjetur 3 monedha të cilat janë në proces të shërimit, por mendojmë që mund t’i takojnë periudhës së vonë romake. Bazuar në gjetjet për rreth, kemi të bëjmë shumë me zgjyrë, mendojmë që mund të ketë qenë objekt që u ka shërbyer atyre që janë marrë me mineralogji”, thotë Premtim Alaj, arkeolog.
Rreth 500 metra larg këtij lokaliteti romak, është kisha mesjetare, brenda së cilës sapo është gjetur edhe një varr që tani është në proces gërmimi.
“Bazuar në materialin përcjellës që e kemi gjetur, do të thotë qeramikën, po ashtu edhe formës së saj, mendojmë që kjo i përket periudhës mesjetare. Sic e shihni ka orientim lindje perëndim me dimensione 15.5m me 6m, është ndërtuar me gurë të përbërë edhe nga llaqi gëlqeror, Është kishë një nefshe, në përbërje të saj ka edhe apsidën, po ashtu kemi gjetur edhe gurin e altarit që ka shërbyer në atë kohë. Kemi hasur edhe në një varr sot, i cili po gërmohet.”, vijon Alaj.
Kisha është ndërtuar direkt mbi një shkëmb natyror, pjesë të së cilit janë përdorur edhe për ndërtimin e saj. Pas përfundimit të gërmimeve që janë në fazën përfundimtare, grupi i arkeologëve do të dorëzojë raportin në Institutin Arkeologjik të Kosovës. Nëse për shkak të këtyre gjetjeve arkeologjike, duhet devijuar autostrada, një gjë e tillë pritet të vendoset nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Shafi Gashi, i cili kryeson grupin e arkeologëve që bën mbikqyrjen e punimeve të autostradës, tashmë ka dorëzuar rekomandimin për ngritjen e një grupi në nivel ministror, për të vendosur lidhur me veprimet e mëtutejshme. Në këto gërmime janë angazhuar edhe studentë të arkeologjisë
“Kjo është vecanërisht një ndihmesë shumë e madhe sepse përvec anës teorike, ne duhet ta praktikojmë atë, ta prekim atë që kanë bërë paraardhësit tanë në këtë rast dhe është një përvojë shumë e mirë. Vetëm idea se ne do të gjejmë dicka të re, ose që na sjellë risi është një ndjenjë e pa përshkrueshme.”, tha Berat Ademi, student i nivelit master për Arkeologji .
Gjatë punimeve të autostradës, janë gjetur edhe dy lokalitete të tjera parahistorike, në fshatrat Dobratin dhe Konjuh.
Top Channel