Pengohet dorëzimi i peticionit të opozitës në Kuvend

31/10/2015 13:30

Udhëheqësit e tri partive opozitare në Kosovë nuk janë lejuar të fusin brenda Kuvendit, dosjet e peticionit kundër Asocioacionit të Komunave më shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Pjestarët e sigurisë së Kuvendit, nga radhët e Policisë së Kosovës tentuan që me arsyetimin se është e shtunë, të mos lejojnë futjen e këtyre dosjeve. Një gjë të tillë nuk e përfilli kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili iu drejtua pjesëtarëve të sigurisë me tone të ashpra.

Ai mori dosjet dhe duke shtyrë pjestarët e sigurisë, hyri në hollin e Kuvendit të Kosovës.

“Është e tepruar të tentohet të mos lejohet ky material të hyj në Kuvend sepse ky është një peticion i nënshkruar nga mbi 203 mijë qytetarë”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, Vetëvendosje akuzoi drejtpërdrejtë kreun e Kuvendit, Kadri Veseli për ngjarjen në fjalë.

“Kadri Veseli dha urdhër që deputetëve të opozitës të mos u lejohet mbajtja e një konference për medie në sallat e Kuvendit. Kadri Veseli dha urdhër që të mos lejohet futja në Kuvend e dokumenteve që përmbanin mbi 200,000 nënshkrimet e qytetarëve kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në një komunikatë të VV, e cila shton se kreu i Kuvendit nuk dëshiron opozitën në sallën e parlamentit dhe shpërfill një peticion të firmosur nga më shumë se 200 mijë qytetarë të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA